Nga Daniel Goure “19 Forty Five”

Epoka e pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Pushtimi i Ukrainës është po aq transformues për sigurinë globale sa ishte fillimi i Luftës Koreane apo rënia e Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, edhe pse nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në luftën e Ukrainës, SHBA është tashmë shumë e përfshirë në një Luftë të re të Ftohtë.

Argumenti se pushtimi ishte rezultat i frikës së Putin nga zgjerimi i NATO-s, keqinterpreton frikën dhe motivet e udhëheqësit rus. NATO nuk përbënte asnjë kërcënim, dhe pushtimi i Ukrainës ka nxjerrë në pah se sa e dobët është sot aleanca ushtarake.

NATO e ndryshoi konceptin e saj strategjik dhe vendosi trupa në shtetet baltike dhe Poloni pasi Rusia pushtoi rajonin e Donbasit në vitin 2014. Por këto ndryshime – me njësi të vogla ajrore dhe disa grupime me madhësinë e një batalioni që patrullonin Baltikun – ishin relativisht të vogla.

Që atëherë, Aleanca nuk ka bërë asgjë që të paraqiste ndonjë kërcënim për Rusinë. Putin zgjodhi të pushtonte një fqinj të padëmshëm, si një mënyrë për të mbrojtur pozitën e tij politike në vend.

Që të sigurojë kleptokracinë e Kremlinit, Putin duhet të sigurojë izolimin e përhershëm të Rusisë nga Perëndimi, dhe një mënyrë për ta bërë këtë është ta parandalojë Ukrainën të adoptojë parimet politike dhe ekonomike perëndimore nga NATO apo Bashkimi Evropian.

Pushtimi i Donbasit në vitin 2014, erdhi pasi revolucioni i Maidanit rrëzoi ish-presidentin e mbështetur nga Rusia, pasi ai kundërshtoi anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Atëherë, ashtu si tani, ushtria ruse po përdoret në funksion të qëllimeve të brendshme politike të Putinit.

Putin nuk mund ta duronte idenë që Ukraina të bëhej një komb më i pasur dhe më i begatë, dhe i qeverisur nga shteti i së drejtës. Ai kishte udhëheqësin e duhur diktatorial në Bjellorusi, dhe duhej të krijonte të paktën një regjim të ngjashëm edhe në Ukrainë.

NATO u tregua e gatshme që të negocionte me Rusinë për të zbutur shqetësimet e saj në lidhje me synimet e aleancës, ekuilibrin ushtarak në Evropë, dhe numrin apo llojet e armëve që do të vendoseshin në kontinent.

Putin u përgjigj me 2 projekt-traktate, njëri drejtuar NATO-s dhe tjetri SHBA-së, të cilët nëse do të pranoheshin do ta kishin lënë të pambrojtur të gjithë Evropën Lindore. Për Putin, NATO dhe SHBA paraqesin kërcënime ekzistenciale për Rusinë, për shkak se i mohojnë Moskës aftësinë për ta përdorur pozicionin e saj ushtarak për të imponuar lëshime në fusha të tjera.

Kontrolli mbi Ukrainën nuk do të mjaftojë që Kremlini të marrë atë që dëshiron.

Dhe përfshirja e Ukrainës në një Perandori të re Ruse, do të sjellë krijimin e një kufiri armiqësor prej mijëra km me NATO-n. Ajo do të përshkallëzonte konfliktet e brendshme ekonomike dhe politike të Rusisë, duke e bërë edhe më të prirur Kremlinin për t’u fokusuar tek armiqtë e jashtëm, veçanërisht tek NATO, për të mbajtur të bashkuar vendin.

NATO përballet tashmë me një kërcënim strategjik që është edhe më serioz sesa ai që ekzistonte gjatë Luftës së Ftohtë. Në atë kohë, qendra e kërcënimit për Evropën ishte hendeku Fulda përgjatë kufirit midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Ajo i ofroi trupave sovjetike në Gjermani qasje direkte mbi zemrën e Gjermanisë Perëndimore, dhe për këtë arsye ruhej nga dhjetëra divizione të NATO-s. Ekuivalenti i këtij hendeku këtë shekull është urë tokësore 102 km e gjerë midis kufirit Poloni-Bjellorusi dhe territorit rus të Kaliningradit, Hendeku Suvalki.

Mbrojtja e këtij korridori nga një sulm rus, nuk do të jetë një detyrë e lehtë. SHBA dhe Evropa duhet të pajtohen tani me realitetin se asnjë grupim interesash të përbashkëta, ekonomike, kulturore apo mjedisore, nuk do të mjaftojë për ta pengua Moskën të ndjekë interesat e saj strategjike në kurriz të atyre të shteteve të tjera.

Këtu përfshihen mjetet ushtarake. Ideja për ta frenuar Rusinë duhet t’i lërë tani vendin idesë tjetër për ta mbrojtur Evropën nga mundësia e zgjerimit të agresionit rus. Por çfarë duhet bërë? Së pari, duhet që NATO dhe SHBA të lëvizin forcat e tyre drejt lindjes.

Dhe ky nuk është një dislokim i përkohshëm, por një vendosje e përhershme e forcave të armatosura rëndë në Poloni, Rumani dhe Baltik. SHBA duhet që ta zhvendosë në Poloni selinë e sapo krijuar të Korpusit V, në kuadër të Marrëveshjes së Varshavës, dhe të fillojë planifikimin për vendosjen e përhershme atje të të paktën një divizioni të plotë.

Edhe Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, duhet të vendosin forcat e tyre në lindje. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara duhet të planifikojnë që tani vendosjen në Evropë të armëve me precizion dhe me rreze të gjatë (LRPF). Këtu përfshihet artileria e topave me rreze të zgjeruar, raketat precize dhe ato me rreze të mesme veprimi.

Së dyti, NATO duhet që të fillojë procesin e gjatë dhe të vështirë të rindërtimit të aftësive konvencionale të luftës tokësore. Në dekadat pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shumë vende të aleancës nuk investuan në ndërtimin e forcave të blinduara të armatosura rëndë.

Ato duhet të ndryshojnë kurs. NATO duhet të ndërtojë forca që janë të afta të mposhtin artilerinë ruse. Një vend që po e bën këtë aktualisht është Polonia. Kohët e fundit, qeveria amerikane miratoi shitjen tek Polonia të 250 tankeve të betejës M1A2 SEPv3.

Së treti, administrata Bajden duhet të ndërmarrë hapa për të përshpejtuar shpërndarjen e avionë luftarakë F-35 tek vendet evropiane që kanë rënë dakord të blejnë këtë lloj avioni. Kështu ajo duhet të dorëzojë tek Polonia 32 avionët F-35A, ndërsa Britani duhet të përmbushë angazhimin e saj për të blerë 90 avionë të tjerë F-35.

Së katërti, lufta në Ukrainë po tregon vlerën e madhe që kanë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore. NATO-s i duhen më shumë aftësi për të mposhtur avionët, helikopterët dhe raketat ruse. SHBA po dërgon në Evropë dërgesa të reja me raketat Patriot.

Por Pentagoni duhet të përshpejtojë prodhimin e IM-SHORAD dhe të vendosë njësi shtesë në vendet e NATO. Po ashtu vendet e aleancës duhet të marrin në konsideratë fitimin e aftësive të reja të mbrojtjes ajrore dhe raketore, siç është sistemi izraelit Iron Dome.

Putin nuk humbni kohë për të kërcënuar Perëndimin me arsenalin bërthamor rus. Ne duhet të presim më shumë nga këto lloj kërcënimesh.

Prandaj, së pesti SHBA duhet të ecë përpara me shpejtësi me programin e saj për të modernizuar të tre pjesët e Triadës Strategjike, diçka që Rusia e ka bërë tashmë. Ndërkohë, administrata Bajden gjithashtu duhet të vazhdojë punë për zhvillimin e një rakete të re bërthamore që mund të lëshohet nga deti./ Përkthyer nga CNA.al