Elsa Lila ka qenë kryefjala e mediave të huaja dhe shqiptare në ditët e fundit. Artistja, e cila prej vitesh jetonte në Itali, është arrestuar ditën e mërkurë, e përfshirë në një grup kriminal.

Ajo është arrestuar me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë. Artistja, e cila vite më parë provoi edhe muzikën në Itali, duket se e “gjeti” famën në grupin kriminal, ku kishte rolin e këshilltares. Ndonëse një imazh shumë i dashur për shqiptarët, pak dihej për jetën e 40-vjeçares në Itali, që herë pas here rikthehej në vendin tonë, për të ndezur famën që kishte lënë pas.

Mediat italiane “nuk e kanë kursyer” Elsën, ku pasi kanë publikuar pamje nga arrestimi i saj, kanë zbardhur dhe përgjimet, ku këngëtarja i këshillonte anëtarët e tjerë të grupit që të gjenin miq në qeveri, si bëhet edhe në Shqipëri. Flokët e mbledhur në bisht apo flokët e gjatë me të cilët deri pak vite më parë ajo zbriste shkallët e Aristonit i kanë lënë vend një kapeleje, një shamie për të mbuluar fytyrën, ndërsa Policia e shoqëron në godinën e Komisariatit.

Elsa Lila, fëmija i mrekullueshëm i këngës shqiptare, e cila debutoi në festivalin e Sanremos në vitin 2003 dhe më pas u rikthye në të njëjtën skenë katër vjet më vonë, u arrestua. Me këngët e saj, “Valeria” dhe “Kuptimi i jetës”, ajo nuk pati shumë sukses.

Në vend të kësaj, në organizatën kriminale të mundur dje nga Antimafia, këngëtarja kishte fituar një pozicion të respektueshëm. Ajo kujdesej për paratë dhe mbi të gjitha, mbante financat, librin në të cilin banda regjistronte marrëveshjet e bëra me shitjen e kokainës, dhe marijuanës. Elsa Lila ishte një lloj “këshilltareje”.

“Si mund të gjesh një shok brenda aparatit shtetëror?”, tha ajo në telefon. “Kjo është zgjidhja… E di që nuk ke besim, por një lidhje në shtet është e dobishme… si në Shqipëri… sepse të shpëton, çfarëdo qoftë qeveria, duhet ta kesh edhe atje”.

“Nëse i hapin këto do të bëjnë një burg të ri në Romë”, thanë të dyshuarit, duke iu referuar telefonave të tyre të koduar. Në fund u hapën celularët, por “burgu i ri në Romë nuk u ngrit”, shkruanin mediat italiane.

Teksa vitet kalonin, shtohej edhe misteri i jetës private për artisten shqiptare. Nëna e një vajze 10- vjeçare duket nuk e ka pasur aspak të lehtë pas ndarjes nga partneri, vite më parë. Në një intervistë të dhënë kohë më parë për Arjan Konomin, këngëtarja rrëfeu si kurrë më parë për jetën private, ku dhe zbuloi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë.

Ajo tregoi gjithashtu për herë të parë se partneri i saj ishte italian dhe quhej Alessandro, të cilin e kishte njohur në Madagaskar. Megjithatë, dashuria e tyre mbaroi shpejt. E për arsye që nuk dihen.

“Alessandron e kam njohur gjatë një udhëtimi shumë të veçantë në ishullin e largët të Madagaskarit në Afrikë, vendi ku ai jeton që prej pesë vitesh dhe punon si zhytës profesionist. Ishte fundi i dhjetorit të 2008-ës dhe unë sapo kisha mbaruar së prezantuari për të dytën herë festivalin në RTSH. E lodhur dhe e stresuar nga puna e madhe dhe prapaskenat e pakëndshme që më ndodhën atë fundviti pune intensive, vendosa të shkoja diku larg për të kaluar Vitin e Ri dhe për t’u rigjeneruar disi psikologjikisht, shpirtërisht dhe fizikisht.

Unë dashuroj detin dhe mendova të shkoja në një vend të nxehtë, prandaj, pasi studiova për të qindtën herë hartën e botës dhe gjithë vendet nën Ekuador, nuk e di pse, sytë më shkuan tek ishulli i madh i Madagaskarit. Pa e menduar gjatë, organizova udhëtimin dhe si zakonisht vetëm (pasi mua më pëlqen shumë të udhëtoj vetëm) u nisa!

Nga dashuria e tyre, në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, lindi Evita, vajza e saj, e cila duket se ka trashëguar edhe talentin e saj për muzikën.

“Shtatzënia ime filloi në Madagaskar në qershor të 2010-ës. E zbuluam kur unë isha 5-javëshe dhe ndërkohë, duke mos e ditur që isha shtatzënë, vazhdoja të zhytesha çdo ditë (sport i cili është rreptësisht i ndaluar në gjendje shtatzënie), të hidhesha nga shkëmbinj 10 metra të lartë mbi ujë, me kishin pickuar ‘mokafui’ (mushkonja tipike të Madagaskarit që mund të mbartin dhe malarie), të haja nëpër barakat e ishullit ushqime, të cilat unë i pëlqej shumë, të gatuara aty për aty me mjete rrethanore nga banorët e ishullit në kushte jo të mira higjienike etj. Kur e zbuluam u kthyem menjëherë në Itali për të bërë vizitat mjekësore e për të parë nëse gjithçka ishte në rregull, duke qenë se unë ‘nuk isha sjellë dhe aq mirë’. Dhe unë i propozova ta quanim Evita që në spanjisht do të thotë ‘Eva e vogël’. Eva doja ta quaja në kujtim të nënës sime”.

Por, lidhja me Alessandron përfundoi ashtu si nisi, rrufeshëm, duke e lënë Elsën të vetëm në rritjen e fëmijës së saj. Me aq sa dihet, ish-i dashuri i saj ka vijuar jetën e tij, duke shkëputur çdo komunikim me këngëtaren.

Por teksa jeta e saj sentimentale po përjetonte momente të vështira, jeta ekonomike po rritej. Pas njohjes me disa shqiptarë, ajo mundi të bëhej pjesë e grupit të drogës. Njohja e saj me Petrit Bardhin dhe shqiptarë të tjerë të përfshirë në botën e krimit, shpejt e çuan Elsën në një rol të ri, atë të menaxheres së lokalit, që realisht shërbente si mburojë për grupin.

Në mediat italiane është shkruaj se këngëtarja mbante llogaritë e kriminelëve, si dhe i këshillonte për lëvizjet e tyre të radhës. Mediat italiane shkruajnë se Lila, ishte ajo që mbante “kutinë e babagjyshit”, duke nënkuptuar këtu arkën me para që fitohej nga rrjeti.

Ata po ashtu kanë bërë publike disa përgjime, në të cilën implikohej këngëtarja. “Shko, shko atje, ndërro vend”, mësohet t’i ketë thënë Lila një trafikanti. Më shumë se sa policëve, Lila i frikësohej hajdutëve, që sipas saj mund t’i vidhnin kasafortën me para, produkt të trafikut të drogës.

“Nuk më vjen njeri nga shteti për të më kontrolluar, më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera”. Në një rast në përgjime, Elsa Lila dëgjohet të thotë: “Më dhanë një gjobë, por më thanë të mos e paguaja, sepse nuk do ta kontrollonin. Sepse këtu si në Shqipëri duhet një mik/lidhje me shtetin, se çfarëdo qeverie të jesh do të shpëtosh, duhet të gjesh një rrugë, pasi edhe këtu shiten kaq shumë”.

Tashmë publiku shqiptar është “sy e veshë” për të zbardhur edhe deklaratën e saj përpara trupit gjykues, për të dëgjuar versionin e saj të historisë. /Panoramaplus.al/