Presidenti i Polonisë Andrzej Duda i ka bërë thirrje pjesës tjetër të Evropës që të hapë kufijtë e saj në përgjigje të krizës së refugjatëve ukrainas. Presidenti Duda tha për BBC se vendi i tij mund të përfundojë duke pranuar deri në 2.5 milionë ukrainas. Rreth 1.5 milionë refugjatë mendohet se kanë ikur në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus. Presidenti Duda kërkoi që vendet e tjera evropiane të hapin kufijtë e tyre ndaj asaj që ai e quajti krizën më të keqe të refugjatëve në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj bashkatdhetarëve të mi, e kam fjalën për njerëzit e thjeshtë. Imagjinoni që 1.5 milionë refugjatë kanë kaluar kufirin polak dhe ne nuk kemi ndërtuar qoftë edhe një kamp refugjatësh, sepse të gjithë janë pranuar në shtëpi private, në hotele, në bujtina, në motele dhe në resorte”, tha Duda.

Megjithatë, ai paralajmëroi se deri në pesë milionë refugjatë mund të përfundojnë duke ikur nga Ukraina. “Sigurisht që ne nuk jemi i vetmi vend që i pranojmë ata, sepse Rumania, e cila ndan një kufi me Ukrainën, po merr gjithashtu refugjatë. Hungaria ka një kufi me Ukrainën. Më shumë se gjysma e të gjithë refugjatëve që janë larguar nga Ukraina janë në Poloni”, shtoi ai.