Gjatë një bisede private përmes video-lidhjes me ligjvënësit amerikanë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fundjavës bëri një lutje “dëshpëruese” që Shtetet e Bashkuara t’i ndihmojnë Kievit që të sigurojë më shumë avionë luftarakë për t’u përballur me pushtimin e Rusisë dhe për të mbajtur kontrollin e hapësirës së tij ajrore. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni ka dhënë “dritën e gjelbër” për këtë ide dhe aktualisht po shikon “në mënyrë shumë, shumë aktive” për një propozim, sipas të cilit, shteti fqinj i Ukrainës, Polonia, ta furnizojë Kievin me avionë luftarakë të kohës sovjetike dhe në këmbim të marrë avionë amerikanë të tipit F-16. Megjithatë, ky propozim është i mbushur me pasiguri dhe Polonia publikisht ka qenë më pak entuziaste për të, gjerësisht për shkak se Rusia ka paralajmëruar se ndihma ndaj forcave ajrore të Ukrainës do të shihej nga Moska si pjesëmarrje në konflikt dhe do të mund të hapte mundësinë për kundërpërgjigje. Ndërkaq, komentet zyrtare nga NATO dhe Polonia kanë qenë vetëm për të konfirmuar vazhdimin e bisedimeve për këtë çështje.

Forcat ajrore ukrainase përdorin avionë sovjetikë MiG-29 dhe Su për të mbrojtur qiejt dhe territorin e tyre nga pushtimi ushtarak i Rusisë që nisi më 24 shkurt. Ukraina ka bërë thirrje për avionë shtesë në mënyrë që të mund të vazhdojë këtë mision në terma afatgjatë. Forcat ajrore ukrainase janë në disavantazh numerik në krahasim me forcat ajrore ruse, por pilotët ukrainas kanë vazhduar të kryejnë misione luftuese dhe kanë pretenduar se kanë vrarë ushtarë rusë, pavarësisht se ushtria ruse ka pretenduar se ka shtypur fuqinë ajrore ukrainase. Pilotët ushtarakë të Ukrainës nuk janë të trajnuar që të fluturojnë avionë luftarakë amerikanë dhe janë më të përgatitur që të manovrojnë MiG-29 apo avionët Su, që aktualisht përdoren nga ish-shtetet sovjetike që janë anëtare të NATO-s, siç janë Polonia, Bullgaria dhe Sllovakia. Pilotët ukrainas do të ishin në gjendje që të operonin menjëherë me avionët MiG, por Polonia duket se nuk është shumë entuziaste që të humbë një pjesë të konsiderueshme të flotës së saj ajrore pa marrë avionë zëvendësues. Avionët F-16, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, po bëhen shtylla kryesore e forcave ajrore të Polonisë, teksa ky shtet po modernizon ushtrinë.

Cila është përgjigja e Polonisë? Blinken tha se ka “dritë të gjelbër” për Poloninë që t’i dërgojë avionë Ukrainës. “Ne po shikojmë në mënyrë aktive për çështjen e avionëve që Polonia mund t’i japë Ukrainës dhe po shikojmë se si ne mund të kompensojmë nëse Polonia vendos të furnizojë [Kievin] me këta avionë. Nuk mund të flas për afate, por mund t’iu them se ne po e shikojmë këtë çështje në mënyrë shumë, shumë aktive”, tha Blinken të shtunën gjatë vizitës në Moldavi. Megjithatë, përgjigja e Polonisë ka qenë e përmbajtur. “Sa i përket dërgimit të avionëve, vetëm mund të përsërisë se ende nuk është marrë vendim për këtë çështje”, tha zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller. Mueller hodhi poshtë pretendimet se Polonia mund t’i ofrojë bazat e saj ajrore për avionët luftarakë ukrainas. Rusia ka pretenduar se Rumania dhe disa shtetet të tjera, që nuk ka treguar se për cilat bëhet fjalë, kanë pranuar që avionët luftarakë ukrainas të vendosen në shtetet e tyre.

Ndërkaq, Polonia ka mbështetur Ukrainën, si në aspektin politik duke mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe në aspektin humanitar pasi kahapur dyert për refugjatët nga shtetet që nuk janë anëtare të BE-së.

Pse Polonia nuk është e vendosur? Pavarësisht qëndrimit mbështetës ndaj Ukrainës, Varshava po përballet me një vendim qenësor dhe sfidues sa i përket furnizimit të Kievit me avionë. Rusia ka paralajmëruar fqinjët e Ukrainës kundër pranimit të avionëve luftarakë në territoret e tyre, duke thënë se Moska do ta konsiderojë këtë si “përfshirje ushtarake në konflikt” të këtyre shteteve. Ky paralajmërim mund t’i hapë rrugë armiqësive. Fjalët e Rusisë mund të merren si një paralajmërim më i gjerë kundër ndihmës ndaj forcave ajrore ukrainase. Polonia po ashtu është në kufi me Rusinë, përmes enklavës së Kaliningradit, dhe ndan një kufi të gjatë me aleaten e Rusisë, Bjellorusinë. Raportet midis Varshavës dhe Moskës kanë qenë në pikë të ulët që prej se Qeveria e krahut të djathtë erdhi në pushtet në Poloni më 2015.

Probleme të tjera Një prej problemeve kryesore do të jetë – nëse vendoset që Ukraina të furnizohet me avionë – se ku avionët MiG do të vendosen, pasi ata nuk mund të vendosen në territorin e NATO-s. Është e paqartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje t’i pranojë avionët dhe t’i mirëmbajë ata në terma afatgjatë, duke pasur parasysh luftën që po zhvillohet në këtë shtet. Një tjetër pyetje që ende nuk ka përgjigje është se si do të dërgoheshin këta avionë në Ukrainë. Pilotët polakë, të cilët po ashtu janë pilotë të NATO-s, nuk mund t’i fluturojnë avionët për në Ukrainë pa rrezikuar përfshirjen e NATO-s në konflikt, dhe nëse pilotët ukrainas shkojnë në Poloni për t’i marrë këta avionë, sërish do të paraqitej një problem i ngjashëm.

Po ashtu është edhe problemi i bllokadave në prodhimin e avionëve F-16, që nënkupton se çdo shtet që do t’i japë Ukrainës avionët MiG dhe Su, do të duhet të presë që t’i vijnë si kompensim avionët e prodhimit amerikan. Senatori amerikan, Marco Rubio, e ka përmbledhur këtë situatë kështu: “Ka komplikime që vijnë me këtë çështje. Nuk është aq e lehtë thjesht të dërgohen avionët. Ju duhet t’i fluturoni këta avionë, duhet t’i dërgoni diku dhe t’i ateroni. Dhe… rusët kanë lëshuar diku mes tetë deri në 12 raketa në një aeroport në perëndim të Ukrainës. Dhe është thjesht pjesë e një strategjie për të penguar ata që të lëvizin avionët”, tha Rubio, senator republikan nga shteti i Floridës./REL