Kryeministri Rama prezantoi sot për kategorinë e fermerëve, lehtësitë që i ofron atyre Paketa e Rezistencës Sociale.

Përfaqësues të fermerëve të vendit, ishin të pranishëm në Katund të Ri, në Durrës, të cilët komunikuan me Kryeministrin për pikat e paketës dhe ndikimin që do të ketë mbi ta kriza e çmimeve.

Rama tha se ajo që po bën Shqipëria nuk e ka bërë asnjë vend akoma, duke shpjeguar dhe se si është gjendja e reshjeve në vend për të prodhuar energji.

“Franca pashë që po bën një kompensim, por jo të plotë, ne po bëjmë kompesim të plotë të energjisë. Ne Zoti na ka dhënë lumjenjtë dhe mund të prodhojmë energji, por për 3 vjet rresht kemi rreshje të ulëta, madje shumë të ulëta, që do të thotë se aty ku ne prodhojmë energji, digat janë nën nivelin teknik.

Tani duhet të stopojë prodhimi sepse nëse digat zbrasen komplet, duhet ndaluar prodhimi. Por nuk duhet të ndalojnë dritat këtu, prandaj duhet ta blejmë nga jashtë dhe atje është me çmime marramendëse. Ne jemi futur në këtë rrugë prej disa muajsh, jemi në mars, kriaza ka filluar të japë shenja shqetësuese prej disa kohësh dhe tani që jemi në mars, vapën dhe thatësirën i kemi përpara” tha Kryeministri.

Po ashtu, Rama tregoi se përse blihet energjia elektrike jashtë dhe se si shteti mbulon pjesën e shpenzimeve që do i duhej të paguante qytetari.

“Duhet të blejmë energji me buxhetin e shtetit me çmime marramendëse që mos të vijë te ju. Janë rritur kostot jam dakord me ju, i vetmi shkak për rritjen e tyre është kriza e përgjithshme, por cili nga ju do pranonte t’i vinte fatura 2-fish apo 3-4-fish në disa raste” shtoi Rama.

Më pas Kryeministri shpjegoi edhe masat që janë marrë në lidhje me çmimet e naftës dhe se cilat janë kategoritë që po mbron shteti.

“Ndërkohë që për ju nafta është e rëndësishme patjetër, makinat janë të rëndësishme për të dalë, por për të punuar këtu, jo për të udhëtuar. Hiqni taksat e naftës është e thjeshtë të thuhet, por nëse bëjmë këtë nuk kemi me çfarë të kompensojmë pjesën tjetër.

Nga taksat e naftës goditen ata që kanë vetura, por ata kanë më shumë lekë. Goditen ata që marrin autobuzët, por për ata po ndërhyjmë ne që mos të rritet çmimi. 100 lekë për litër karburanti do e paguajmë ne.

Atëherë 500 milionë, dmth 5 milionë dollarë, që shkojnë 1.4 miliardë janë para që do i paguajmë ne që fermerët të marrin naftë pa taksa. Deri më 30 janë hapur aplikimet dhe të gjithë atyre që aplikojnë do t’i japim naftë që të vazhdojnë të punojnë” deklaroi Rama.

Më tej Kryeministri tregoi se si në bisedat me kompanitë e huaja, e ardhmja e investimeve në Shqipëri, duket në fakt shpresëdhënëse, duke përmendur kompani të mëdha të huaja që interesohen dhe po studiojnë mundësitë e investimit në vend, për gaz dhe për sektorin e energjisë.

“Dje isha me drejtorin e madh të kompanisë franceze Total, një nga kompanitë më të mëdha në botë për gazin, energjinë. Kanë ardhur këtu sepse duan të investojnë në Shqipëri. Ai ma tha shumë qartë, goditja e tregut të naftës është rezultat i pasigurisë ekstreme që sjell lufta, jo sepse ka rënë prodhimi i naftës në botë.

Kemi këtu Shell-in që po bën një eksplorim të rëndësishëm dhe ka nxjerrë gaz në Shpirag, është në fazën e kolaudimit për të parë sa është ky zbulim financiarisht interesant për ta. Flitet për sasi shumë të madhe gazi, që do të ndryshonte shumë në ekonominë shqiptare. Kemi dhe Eni-n Italian që po bën një eksplorim tjetër” përfundoi Kryeministri Rama.