Kryeministri Edi Rama ka publikuar një grafik që tregon se çmimi i naftës kishte nisur të ndryshonte paralelisht me thellimin e krizës energjetike.
Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Rama është ndalur te protestat që po mbahen në vend kundër rritjes së çmimeve, ndërsa shkruan se janë shfaqje e dhunës verbale për të nxitur urrejtje dhe destabilizim me shpifje dhe akuza.
“A ka apo s’ka lidhje lufta me kërcimin e çmimit të naftës në tërë botën, kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm kush bie pre e zhurmës së daulleve të dizinformimit e të çoroditjes së publikut, nga ata që dihet e shihet se kush janë.
Ky grafik i nxjerrë sot nga një prej burimeve më serioze të informacionit për çmimet e naftës në botë, e tregon kokëfortësisht se kërcimi i panatyrshëm i çmimit, që kishte nisur të rritej pak nga pak paralelisht me thellimin e krizës energjetike, përkon përpikmërisht me nisjen e luftës.
*Mospranimi i fakteve të realitetit dhe fabrikimi i një realiteti konfliktual, me sajesa, shpifje, sharje, akuza, analiza të rreme, me qëllim shfrytëzimin e një tronditjeje që shkaktohet nga një fatkeqësi natyrore e pashmangshme, nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Por këtë herë – kur një popull i tërë europian po martirizohet nga një agresion ushtarak dhe kur bota flet deri edhe për rrezikun e paimagjinueshëm të Luftës së Tretë Botërore – kjo shfaqje dhune verbale, për të nxitur urrejtje, përçarje, destabilizim, përmes shpifjesh, akuzash, sharjesh, mallkimesh, ishte fare fare e tepërt!”, shkruan Rama.