Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me një grup pensionistësh për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale.
Gjatë fjalë së tij Kryeministri theksoi edhe një herë se të gjitha qeveritë e tjera, në rajon e në Evropë kanë rritur direkt çmimet e energjisë dhe çmimin e ngrohjes, sepse është një çmenduri financiare, ndërkohë kjo gjë nuk është bërë tek ne.
Rama shprehu se edhe protesta do të ishte shumë e drejtë po të ishte rritur fatura e energjisë për familjet apo bizneset e vogla: “Nëse do kishte ardhur çmimi i energjisë me faturën e krizës, nuk do kishte njeri në këtë vend që nuk do të donte të dilte në rrugë. Por, e vërteta është që nuk ka ardhur, dhe fakti që nuk ka ardhur nuk do të thotë që nuk ekziston. Nuk ka ardhur sepse është vënë një mburojë financiare.”
Kryeministri vijoi më tej duke shprehur se institucioni i protestës është respektuar gjithmonë: “Kjo qeveri është krejt e kundrat e asaj shëmbëlltyre, që përpiqen të pikturojnë me propagandën e shfrenuar kundër fakteve, jo kundër qeverisë. Ata që gjithë këto vite dalin dhe e bëjnë Shqipërinë të vetmin vend në NATO dhe në botën demokratike që për turp, protestojnë që në ditët e para të luftës për pasojat e luftës nëpër çmime.”
“Fakte janë aty dhe kujtesa e secilit e konfirmon këtë gjë, nuk ka pasur Shqipëria qeveri më të vëmendshme dhe më respektuese sesa gjatë këtyre viteve të qeverisjes ndaj protestave. Në këtë vend ku dikur, haje plumbin po të dilje të protestoje. Ndërkohë, gjatë këtyre 8 viteve e kusur, në këtë vend është protestuar sa kanë dashur, kush ka dashur, sepse është një e drejtë që e jep sistemi që kemi zgjedhur dhe jo vetëm kaq”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Rama shtoi: “Ne e i kemi dëgjuar protesta me respekt dhe institucioni e protestës e kemi vlerësuar si një institucion i cili jo vetëm respektohet, por që është një institucion demokratik që mund të të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen. Dhe, që në protestën e armëve kimike, me protestën për tarifën e traut të rrugës së Kombit për banorët e Kukësit dhe me protestën e studentëve. Janë 3 raste domethënëse kur qeveria ka reaguar dhe madje në një rast, si në Kukës ku kam kërkuar ndjesë, sepse ishim ne gabim dhe jo banorët e Kukësit.”