Kryeministri Rama ishte sot në një takim në një nga bizneset e vendit, ku shpjegoi Paketën e Rezistencës Sociale. Kryeministri tha se më shumë se 56% e të punësuarve në vend nuk paguajnë asnjë taksë.

Po ashtu, ai u sqaroi qytetarëve se qeveria po mban barrën më të lartë të pagesës së energjisë elektrike, duke deklaruar se çmimi real i energjisë në ditët e sotme është 7 herë më i lartë se ai që vjen në faturat e bizneseve dhe familjeve shqiptare.

Kryeministri theksoi se kjo është një situate anormale, një situate krize, por qeveria po pengon që të goditen kategoritë më të prekshme.

“Nuk ka ndodhur kurrë në histori që kriza energjitike të prodhojë çmime si ky, që 1 kWh në shtëpitë tuaja të paguhet 9.5 lekë dhe të vijë 61 lekë, ndërsa ju paguani siç paguanit përpara krizës.

Prandaj në paketën e djeshme ne kemi futur edhe 20 miliardë tjetër të reja, që janë 200 milionë dollarë, vetëm për të paguar pjesën më të madhe të faturës, për 726 mijë familje rezidente në Shqipëri dhe 95 mijë biznese të vogla.

Ndërkohë që këtu jemi në një biznes të madh dhe si biznes i madh ka më shumë kosto të energjisë, megjithatë edhe aty nuk e kemi lejuar të shkojë në koston reale sepse do të sillte falimentim të biznesit”, tha Kryeministri Rama.

“Në kalkulimet e djeshme, vendosëm të kalojmë gjysëm milioni njerëz që do të përfitojnë nga mbështetja, që do të marrin për 3 muajt e ardhshëm, 30 mijë lekëshin që kompenson rritjen e çmimeve të shportës, e përllogaritur në bazë të çmimeve të mëparshme dhe konsumit, rritje 7%, në një mesatare 25 mijë lekë të vogla i shtohen çdo familje për mallrat e shportës.

Të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, të gjitha kategoritë e personave me aftësi ndryshe po ashtu përfshihen. I vetmi vend i botës që bën protesta për llogari të disave që duan prap të përfitojnë nga situata, jemi ne. Ndërkohë që ne jemi këtu edhe për transportin tuaj”, deklaroi Kryeministri Rama.