Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, i cili përfshin gjithashtu dhe një tjetër kapitull mbi pastrimin e parave, ku theksohen rezultatet e autoriteteve shqiptare në fushën e konfiskimeve dhe operacioneve për zbatimin e ligjit.

DASH vlerëson bashkëpunimin e institucioneve të vendit tonë me homologët amerikanë për arrestimin dhe sekuestrimin e dërgesave të narkotikëve si dhe të laboratorëve të përpunimit të drogës në Shqipëri, apo sekuestrimin e aseteve në Shqipëri, të lidhura me trafikun ndërkombëtar ndërkombëtar të drogës.

“Autoritetet shqiptare regjistruan një rritje të konfiskimeve të kokainës në Portin e Durrësit në vitin 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori. Forcat shqiptare të rendit shqiptar morën pjesë në disa operacione të zbatimit të ligjit në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar ndër të tjera në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë”, thotë Raporti.

Në kapitullin e posaçëm për pastrimin e parave, DASH nënvijëzon se Qeveria ka bërë përparim drejt pengimit të pastrimit të parave gjatë vitit 2021.

Raporti vë në dukje se në nëntë muajt e parë të vitit 2021, ka pasur 32 dënime individuale për pastrim të parave, dhe se Policia e shtetit iu referoi prokurorëve 318 raste të pastrimit të parave në nëntë muajt e parë të vitit 2021.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2021, 1135 persona janë ndjekur penalisht për korrupsion, një rritje prej 37 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2020.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara regjistroi 19.7 milionë dollarë në para dhe prona të sekuestruara në gjashtë muajt e parë të 2021, një rritje nga e njejta periudhë e një viti më parë.

Prokuroria e Posçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, vlerësohet të ketë “regjistruar disa suksese në vitin 2021, duke përfshirë arrestimin e 38 personave, përfshirë një prokuror dhe disa zyrtarë të lartë të policisë, si pjesë e një hetimi të madh ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike”.

Raporti përmend dhe sekuestrimin nga SPAK-u “të miliona dollarëve pasuri, përfshirë pasuri të paluajtshme, aksione të korporatave dhe dy kanale televizive, nga Ylli Ndroqi, një biznesmen i akuzuar për pasuri të pabazuara dhe lidhje me trafikun e drogës”.

“Shqipëria vazhdon të përdorë ligjin e saj antimafia për të sekuestruar kompanitë e lidhura me trafikun e drogës dhe korrupsionin. Reformat e vazhdueshme gjyqësore kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për trajtimin e pastrimit të parave. Megjithatë, këto përpjekje ende pengohen nga nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit dhe atyre mbikëqyrëse”, shkruan DASH.