Nafta dhe gazi do të kushtojnë më shtrenjtë në vend, duke filluar nga dita e sotme. Sipas vendimit të Bordit të Transparencës, që u mblodh ditën e djeshme, çmimi i naftës do të jetë 245 lekë për litër, duke pësuar një rritje prej 12 lekësh. Nafta me shumicë tregtohet me 233 lekë për litër.

Rritje të ndjeshme ka pësuar edhe çmimi i gazit, ku nga 93 lekë/litri që ishte, ka shkuar në 110 lekë/litri, pra 17 lekë më shumë.

Ndërkohë çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar që prej vendimit të mëparshëm të Bordit të Transparencës, 218 lekë/litri.

Këto çmime do të mbeten të pandryshuara deri më 1 prill, kur Bordi i Transparencës do të mblidhet sërish me qëllim pasqyrimin në çmim të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 25 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi: Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/litër për periudhën 26 mars- 1 prill 2022; Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të jetë 245 lekë/litri; Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 218 lekë/litri; Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litër”, thuhet në njoftim.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur.

Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.