Nëntë kompani që importojnë/ prodhojnë dhe shesin me shumicë vaj vegjetal në Shqipëri janë vënë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës. Hetimi i thelluar përfshin periudhën nga 20 maj 2021 deri në 18 mars 2022. Komisioni i Konkurrencës do të hetojë ndërmarrjet AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, Devi 20 – GRUP SHPK, Eqerem – 934 SHPK, FERRA&CO SHPK, GLOBCOM SHPK, Kriket-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK.
Gjatë monitorimit në tregun e shumicës të vajit vegjetal pranë ndërmarrjeve Agro Blend SHPK dhe Ferra&Co SHPK është konstatuar së çmimet për produktin e vajit vegjetal kanë pasur rritje gjatë vitit 2022. Gjatë monitorimit të tregut të pakicës për vajin vegjetal rezulton se për markat Gold (Teuta), Diamond (Agro Blend), King (Ferra&CO), Floriol (Devi-20 Grup) çmimi gjatë periudhës shkurt-mars ka pasur trend rritës.
Konkretisht vaji Gold shitet me 329 lekë me TVSH, Diamond me 335 lekë me TVSH, King me 315 lekë me TVSH dhe Floriol me 319 lekë me TVSH. Nga informacioni i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën 1 janar 2022 – 11 mars 2022, Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se çmimi mesatar mujor i importit në muajin janar 2022 ka qenë në vlerën 199.23 lekë/litri dhe në mars 2022 është rritur në vlerën 208.54 lekë/litri.
Ka një rritje prej 7.5% nga muaji shkurt 2022. Kompanitë që do të hetohet e kanë rritur çmimin e vajit vegjetal në të njëjtën kohë, gjatë majit janar dhe shkurt të këtij viti, ç’ka bie në kundërshtim me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, që ndalon marrëveshjet apo sjelljet e bashkërenduara të këtyre ndërmarrjeve.