Rusia ka miratuar të hënën një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj. Në listën e shpallur, renditen shtetet që vendosen ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të pushtimit në Ukrainë. Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria.
Lista përfshin SHBA-të, Kanadanë, vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islanden, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut. Nuk mungojnë as Japonia, Korea e Jugut, Australia, Zelanda e Re, Singapori dhe Tajvani. “Qeveria vuri në dukje se, sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla”, shkruan TASS.
Lista vjen pas një dekreti presidencial të nënshkruar më 5 mars, që lejon Qeverinë, kompanitë dhe qytetarët rusë të paguajnë borxhet në valutë të huaj, që u detyrohen kreditorëve të huaj nga “vendet jomiqësore” në rubla.
Për të bërë pagesa të tilla, Qeveria shpjegoi se debitorët duhet të hapin një lloj të veçantë llogarie rubla në një bankë ruse dhe të transferojnë në të ekuivalentin e rublës së shumës së monedhës së huaj – që i detyrohet – sipas kursit zyrtar të këmbimit të bankës qendrore në ditën e pagesës.