Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikyriya dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës në WCO zhvilluan një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, pas takimit tha se përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka bërë që në vitet e fundit ADSH të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Tashmë deklarimin on-line është realitet dhe ‘Nënshkrimin Elektronik’, është një element thelbësor që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘deklarimit pa letra në doganë’, tha Gazheli, duke theksuar se thjeshtimi i procedurave dhe dokumentacionit për dhënien e lejeve dhe licencave për qytetarët dhe bizneset ka minimizuar kostot që lidhen me burokracinë e strukturave shtetërore, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë kohor”.
Gjatë dy viteve sfiduese për shkak të pandemisë Covid 19, u shpreh Gazheli, Drejtoria e Doganave ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, për të lehtësuar eksportet dhe importet, duke bërë përpjekje maksimale në funksionet e saj të kontrollit, duke siguruar trajtim të barabartë, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme.
Ndërsa Kreu i OBD-së, Mikyria, vlerësoi se Dogana Shqiptare ka shënuar progres në vitet e fundit në termat e standardeve ndërkombëtare dhe të BE-së, në përmirësimin dhe futjen e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore.
“Është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve bazuar në besimin e biznesit. Prandaj këtë progres kam vërejtur gjatë vizitës sime, ku në ndryshim nga vizita ime 10 vjet më parë, ndjej se ekonomia shqiptare është më shumë premtuese në kushtet e integrimit europian, në kushtet e tërheqjes së njerëzve dhe investimeve, por gjithashtu edhe tërheqjen e turistëve. Unë shoh një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, prandaj përmirësimi i vazhdueshëm i institucioneve publike, si Dogana është i rëndësishëm për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe premtues”, u shpreh Mikyria.
Shqipëria është anëtarësuar në OBD që nga viti 1992, ku aderon në konventat kryesore të kësaj organizate, si Konventa Ndërkombëtare për Kodimin dhe Përshkrimin e Harmonizuar të Mallrave, Konventa e Rishikuar e Kiotos.