Embargoja e plotë ndaj energjisë ruse do të ishte shkatërruese për Evropën, dhe për Gjermaninë në veçanti. Kështu ka deklaruar më herët gjatë ditës së sotme kancelari gjerman Olaf Scholz.
Ai paralajmëroi se sugjerimet për një embargo të menjëhershme ndaj furnizimeve ruse të energjisë duhet të hidhen poshtë pasi ndikimi në Evropë do të ishte shkatërrues. Kancelari gjerman tha se vendi që ai drejton është në procesin e pavarësimit nga burimet ruse të energjisë, por “që ta bësh këtë nga sot nesër do ta shtynte vendin tonë dhe të gjithë Evropën në recesion”.
Ai paralajmëroi gjithashtu, se një embargo e plotë ndaj hidrokarbureve ruse do t’i çonte në prag të kolapsit të gjitha industritë dhe se që tani sanksionet ekzistuese anti-ruse kanë prekur rëndë qytetarët gjermanë.