Është mbyllur numërimi i votave në shkodër, ku kandidati i koalicioni Berisha-Meta, Bardh Spahia do të jetë kryetari i ri i kësaj bashkie. Ai ka arritur që të marrë 20.1295 vota, me një diferencë mbi 1800 vota nga vendi i dytë, kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni. Kjo e fundit ka arritur që të marrë 18.120 vota.

Në një deklaratë për mediat, teksa ka falënderuar votuesit, Bardh Spahia i bëri thirrje mbështetësve të Bashës që t’i bashkohen, teksa tha se ‘dera do jetë gjithnjë e hapur për ata që humbën rrugën’.

“Në falënderimin e përzemërt ndaj qytetarëve të bashkisë sonë, theksoj se nga nesër unë do jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës. Për të gjithë demokratët që për pak momente humbën rrugën, dera e shumicës është e hapur për të gjithë demokratët. Ju siguroj se nga nesër fillon një rrugëtim i ri në Shkodër, një ndryshim i madh. Puna e parë që do bëj është që do komunikoj siç duhet me bashkëqytetarët e mi dhe do i identifikoj prioritete”, tha ai.

Zgjedhjet në Shkodër rrezikoheshin të përsëriteshin, kjo pasi me anulimin e procesit në 3 qendra votimi, 2 në Shosh dhe 1 në Pult, të cilat kanë 1300 votues, procesi përsëritet. Kodi Zgjedhor e përcakton që nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një apo disa qendra votimi numri i zgjedhësve në këto qendra votimi është më i madh se diferenca mes kandidatit fitues dhe e kandidatit të dytë atëherë zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë. Në rastin konkret, Bardh Spahia e ka kaluar me një diferencë më të madhe.

Ndërkohë në vend të tjerë është renditur kandidati i Lulzim Bashës, me vetëm 7611 vota. Ajo që vihet re krahasuar me zgjedhjet e kaluara, PD ka pësuar një rënie me -28.64%, e ndërsa PS një rritje me 15.75%.