Presidenti amerikan, Joe Biden do të udhëtojë në Poloni, pas takimeve me NATO-n për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës. ”Biden do të udhëtojë në Varshavë të premten pas takimeve me NATO-n, BE-në dhe G7 në Bruksel”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Qeveria amerikane ka mohuar spekulimet se presidenti Joe Biden do të vizitonte Ukrainën gjatë udhëtimit të tij në Evropë gjatë ditëve në vijim. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i tha gjithashtu kanalit televiziv amerikan CNN se ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë diskutimi për një udhëtim në Ukrainë. Ajo tha se qeveria amerikane kishte lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj që të mos e vizitojnë Ukrainën, pasi ajo është “një vend në luftë”.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të udhëtonte në Evropë të mërkurën, në udhëtimin e tij të tretë në kontinent që nga marrja e detyrës në janar 2021.
Të enjten, ai është planifikuar të marrë pjesë në samitet speciale të NATO-s, BE-së dhe G7 në Bruksel. ”Të premten, Biden do të udhëtojë më pas në Varshavë për të zhvilluar një takim dypalësh me presidentin polak Andrzej Duda”, tha Psaki.