Forcat ruse kanë sulmuar centralin bërthamor Zhaporizhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë, gjatë betejës për të vënë nën kontroll një qytet kyç për furnizimin e Ukrainës me energji elektrike.. Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së premtes, por ekipet ukrainase nxituan që të shuanin flakët dhe nuk pati viktima.

Pamjet tregojnë momentin kur shpërtheu zjarri në centralin bërthamor të Ukrainës pas sulmit nga trupat ruse. Falë ndërhyrjes me urgjencë të zjarrfikësve, u bë e mundur shuarja e flakëve de nuk u raportua për viktima.

Sulmi ndodhi në orët e para të 4 marsit dhe zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës.

Zjarri në central bërthamor u shua në orën 6:20 të mëngjesit me orën lokale, rreth një orë pasi zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave në Ukrainë, zjarri ka rënë në një objekt që shërbente për trajnime dhe deri tani nuk është vënë re ngritje e nivelit të rrezatimit përreth.

Në një postim në Facebook, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi trupat ruse për kryerjen e një “sulmi terrorist” duke qëlluar qëllimisht në termocentralin për të rrezikuar jetën e miliona njerëzve.

“Tanket ruse, të pajisura me imazhe termike, po qëllojnë në blloqet atomike. Ata e dinë se për çfarë po qëllojnë. Ata janë përgatitur për këtë (sulm)”, tha Zelensky në postim, duke shtuar “djemtë tanë po e ruajnë stacionin e energjisë elektrike.”

“Vetë fakti që Rusia po fillon sulme në afërsi të centraleve bërthamore të Ukrainës është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha Zelensky, duke iu referuar tragjedisë së Çernobilit dhe viktimave të saj.

“Ka 15 reaktorë bërthamorë në Ukrainë. Nëse njëri prej tyre shpërthen, ky është fundi për të gjithë, ky është fundi i Evropës. E gjithë Evropa do të duhet të evakuohet,” tha ai.

“Asnjë vend përveç Rusisë nuk ka qëlluar ndonjëherë mbi reaktorët e një termocentrali bërthamor. Hera e parë, hera e parë në histori,” shtoi Zelensky, duke u kërkuar liderëve evropianë të “zgjohen tani” dhe të ndalojnë forcat ruse “përpara se kjo luftë të kthehet në një fatkeqësi bërthamore.”