Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në ditët e tij të fundit si kryediplomat i unionit në Tiranë, ka thënë gjatë një interviste për emisionin radiofonik italian në radio Rai 1, “Estovest”, se ka pasur raste sulmesh kibernetike ruse dhe tentativa për dezinformim publik nga ana e Moskës edhe në vendin tonë, por ato as që krahasohen me rastet e shfaqura në Serbi apo Bosnjë dhe Hercegovinë. I pyetur nga gazetari i mirënjohur italian, Stefano Marcelli, mbi dinamikat e fundit në Ballkan pas fillimit të luftës në Ukrainë, Soreca ka nënvizuar faktin se është e qartë që Moska, po kërkon të jetë më e përfshirë në Ballkanin Perëndimor.

Duke qenë se këtë gjë, momentalisht, nuk e ka të mundur ushtarakisht, ajo po vepron nëpërmjet fushatave kibernetike dhe të keqinformimit. “Liderët evropianë e kanë theksuar me të drejtë përfshirjen e Rusisë në rajon”, tha Soreca. “Moska ka për objektiv të ndërpresë një proces të afrimit të vendeve të rajonit me BE-në dhe strukturat euroatlantike”.

Ndërkaq, ai mendon po ashtu se tensionet e fundit në lindje të Evropës, mund të ndikojnë në këtë fakt. Ndaj, Perëndimi e ka shtuar vëmendjen kundrejt fenomeve të krimeve kibernetike dhe dezinformimit.

Përtej faktit se edhe në Shqipëri sipas tij, ka pasur ngjarje të tilla, ato janë shumë më të ulëta në numër se sa në Serbi apo Bosnjë dhe Hercegovinë.

Mbi këtë premisë, u organizua edhe vizita e përfqësuesit të lartë të Politikave të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në tre vende të Ballkanit. Përkatësisht, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. “Kjo vizitë, kishte për qëllim të bënte zërin e BE-së të ndihej karshi problemit të rritur të pranisë ruse”, përmbylli Soreca. “Jo ushtarakisht në këtë moment, por në termat politike, po!”.