Disa nga tregtarët më të respektuar të naftës në botë kanë parashikuar se çmimet e naftës së papërpunuar mund të rriten përtej 200 dollarëve për fuçi këtë vit për shkak të një bojkoti ndërkombëtar në rritje ndaj Rusisë dhe mungesës së burimeve alternative të furnizimit, shkruan Financial Times.

Pierre Andurand, një nga menaxherët më të njohur të sektorit të fondeve të mbulimit, tha se furnizimet e naftës ruse në Europë mund të zhduken si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, duke çuar në një riformatim afatgjatë të tregjeve globale të energjisë.

“Zgjohuni. Ne nuk do të kthehemi në biznesin normal për disa muaj,” tha ai në Samitin Global të FT Commodities në Lozanë. “Unë mendoj se ne po e humbasim përgjithmonë furnizimin rus për vendet europiane.” Nafta e papërpunuar mund të arrijë edhe 250 dollarë fuçi këtë vit, dyfishi i niveleve aktuale, tha ai.

Aktorë të tjerë të tregut të naftës, duke folur në konferencë, ranë dakord që produktet ruse të papërpunuara dhe të rafinuara, si dizel, nuk do të ktheheshin në tregun europian së shpejti, edhe nëse do të bihej dakord për një armëpushim me Ukrainën.

Analistët kanë vlerësuar se nuk do të jenë më në treg deri në 3 milionë fuçi në ditë naftë ruse.

Doug King, kreu i Departamentit të Mallrave Tregtare të RCMA, parashikoi që çmimet e naftës do të rriteshin midis 200 dhe 250 dollarë për fuçi këtë vit. “Kjo nuk është kalimtare. Kjo do të jetë një goditje e naftës së papërpunuar, “tha ai.

Brent, treguesi referencë ndërkombëtar i naftës, arriti në 122 dollarë për fuçi të mërkurën, përpara takimit midis liderëve të BE-së dhe NATO-s në Bruksel të enjten, që mund të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë. Çmimet arritën deri në 139 dollarë menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, dhe madje pas rënies, ato mbeten 90 për qind mbi nivelin e tyre në këtë pikë të vitit të kaluar.

“Unë nuk mendoj se duke pasur parasysh mënyrën se si po shkojnë gjërat, ky është një problem i përkohshëm,” tha Alok Sinha, analisti kryesor i naftës dhe gazit në Standard Chartered. “Tani duhet ta trajtojmë këtë si çështje afatgjatë që do të thotë se ju duhet të gjeni rritje alternative të ofertës.”

Daniel House, tregtues i naftës së papërpunuar në Socar, divizioni tregtar me bazë në Hjuston i kompanisë kombëtare të naftës të Azerbajxhanit, tha se industria e naftës argjilore amerikane nuk ka gjasa të vrapojë për të shpëtuar këtë situatë duke nxitur prodhimin për të ulur çmimet.

Edhe nëse do të donin të shpejtonin, është një proces 12-mujor, “tha ai, duke shtuar se disa prodhuesve mund tu duhet deri në 18 muaj për të sjellë naftë të re.

Ben Luckock, nga kompania e tregtimit të naftës në Trafigura, parashikoi një çmim maksimal i naftës bruto Brent mund të arrijë në 150 dollarë për fuçi këtë verë dhe paralajmëroi se ekonomitë në zhvillim me më pak aftësi për të ulur taksat e karburantit do të goditeshin më rëndë.

“Ndërsa SHBA, Europa Perëndimore dhe vendet më të pasura në botë do të jenë në gjendje të përballojnë disa nga këto lehtësime tatimore, të printojnë disa para. . . kombe më të varfra nuk do të kenë të njëjtat mundësi dhe mjete” tha ai. “Këta do të jenë njerëzit që vuajnë të parët dhe këto janë disa nga pasojat e padëshiruara të politikave, që ka të ngjarë të ndodhin në të ardhmen.” /Monitor