Kryeministri Edi Rama ka bërë publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook’ një homazh të Enver Robellit kushtuar albanologut Peter Bart. Rama thekson se albanologu Bart meriton respekt dhe mirënjohje.
“HOMAZH Një homazh prekës i Enver Robellit për të ndjerin Peter Bart, albanologu që meriton të gjithë respektin e mirënjohjen tonë, përshkruar mrekullisht në artikullin bashkëngjitur! U prehtë në paqe🙏”, shkruan Rama.
Nga: Enver Robelli
Në moshën 84-vjeçare ka vdekur profesori i Universitetit të Münchenit, Peter Bartl. Ai është autor i veprave monumentale mbi historinë shqiptare, mik i Martin Camajt dhe bashkëpunëtor i Arshi Pipës dhe Ernest Koliqit, nxënës i Georg Stadtmüllerit të famshëm dhe mentor i historianit Oliver Jens Schmitt. Peter Bartl do të mbetet një ndër zërat më të shquar të historisë shqiptare. Për jetën dhe veprën e tij flasin historianët Oliver Jens Schmitt dhe Konrad Clewing. Peter Bartl nuk punonte të mërkurave. Dita e mesit të javës për të ishte dita kur ngjitej në malet dhe alpet e Bavarisë. Ai ishte një alpinist i pasionuar dhe asket i përkushtuar. Nganjëherë ushqim të vetëm e kishte vetëm cigaren dhe një birrë, këtë pije nacionale të Bavarisë. Po aq sa ishte i dashuruar në alpet gjermane, Bartl ishte i përkushtuar ndaj historisë së shqiptarëve, albanologjisë, mbledhjes së materialeve të rëndësishme arkivore.
Me vdekjen e tij në moshën 84-vjeçare u shua njëri nga personalitetet më të rëndësishme shkencore të albanologjisë në hapësirën gjermanofolëse. Bartl lë pas një vepër monumentale, me studimin e së cilës duhet të merren më gjerësisht gjeneratat e ardhshme të historianëve, sidomos në viset shqiptare. Modest, paksa i introvertuar, dijetar që i shmangej çdo polemike boshe, Bartl ishte pafundësisht i koncentruar në punën e tij shkencore. Meqë zakonisht s’punonte të mërkurave, ai këtë ditë e zëvendësonte me të shtunën: kjo ditë fundjave i jepte atij mundësinë të punojë në qetësi në zyrën e tij në Universitetin e Münchenit. Falë afërsisë gjeografike me Europën Juglindore, kryeqyteti i Bavarisë, Müncheni, u bë qendër e rëndësishme e studimeve për Ballkanin dhe rrethinën e tij. Që në vitin 1930, pra në kohën e Republikës së Weimarit, në München u themelua Instituti i Europës Juglindore si institut qendror i studimeve gjermane për këtë rajon.
Bartl erdhi në Gjermaninë perëndimore më 1956 – nga Gjermania lindore, që sundohej nga sovjetikët dhe komunistët gjermanolindorë. Atëbotë ikja nga Gjermania komuniste ishte e mundshme pa rreziqe të mëdha dhe veçanërisht përmes Berlinit. Me ndërtimin e Murit të Berlinit më 1961 ky shteg drejt lirisë u mbyll. Në Perëndim Bartl gjeti lirinë jo vetëm personale, por edhe shkencore. Pasi doktoroi më 1967 në Ludwig-Maximilians-Universität në München dhe habilitoi po aty më 1973 (dhe kësisoj fitoi të drejtën për të ligjëruar në Universitet), ai u punësua si asistent dhe më vonë si profesor i historisë së Europës Lindore dhe Juglindore. Më 2004 u pensionua. Historiani Oliver Jens Schmitt, i cili ka doktoruar te profesori Peter Bartl, thekson se një ndër veprat më të rëndësishme të Bartlit është editimi i raporteve të klerikëve të krishterë nga Shqipëria dhe botimi i tyre në pesë vëllime nën titullin “Albania Sacra”.
Në veprën e tij “Shqipëria. Nga Mesjeta në kohën e tashme” Bartl trajtoi me kujdes dhe akribi shkencore shtrirjen gjeografike të shqiptarëve – nga Adriatiku në Ballkanin qendror. Gjerësisht në këtë vepër ai përshkroi dhe analizoi luftërat shqiptare kundër osmanëve, e sidomos rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Nga fundi i shekullit të 19-të nisi edhe zgjimi nacional i shqiptarëve dhe kjo pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare u gjend në fokusin e Bartlit. Për fat të keq puna kolosale e profesorit Bartl nuk gëzoi mirënjohjen e merituar nga institucionet relevante shkencore në viset shqiptare. Historianë të kalibrit të tillë shtetet e tjera i kanë nderuar së paku me titullin “doktor nderi” apo dekorata të larta presidenciale. Por bota shqiptare ngaherë funksionon sipas zakoneve të veta. Bartl së paku ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Bartl nuk i përkiste atyre shkencëtarëve që rrahin gjoks me punën e tyre. Ai punonte që puna të fliste për të. Bartl ishte nxënës i Georg Stadtmüllerit, një historiani e albanologu të madh gjerman. Në vitin 1962 Stadtmüller, atëbotë shef i katedrës për historinë e Europës Lindore dhe Juglindore, arriti ta bind Fondacionin Fritz Thyssen të financojë themelimin e një “Komisioni për historinë e Europës lindore” si dhe të një sektori për studime shqiptare që funksionoi në kuadër të katedrës dhe më 1973 fitoi statusin juridik të një shoqate me emrin Instituti i Shqipërisë (Albanien-Institut e.V.). Kësisoj u vazhdua puna e vlefshme e dijetarëve të famshëm që u morën me shqiptarët si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Carl Patsch, Norbert Jokl.
Në punimin e tij të habilitimit Stadtmüller trajtoi prejardhjen e shqiptarëve. Sllavisti Alois Schmaus dha kontribut të shquar që më 1970 në Universitetin e Münchenit të fillojë punën lektorati i gjuhës shqipe dhe më 1970 profesura për gjuhën shqipe. I pari që e drejtoi këtë profesurë ishte Martin Camaj, poet dhe filolog shqiptar. Me Camajn profesorin Bartl e lidhte një miqësi e gjatë. Por, siç njoftojnë historianët Oliver Jens Schmitt dhe Konrad Clewing, Bartl u ndikua dhe bashkëpunoi edhe me Ernest Koliqin dhe Arshi Pipën, dy intelektualë të tjerë të shquar të diasporës antikomuniste shqiptare. Me gjasë këto kontakte ndikuan që Bartl të mos jetë i preferuar nga regjimi komunist i Tiranës.
Shqipërinë ai e vizitoi për herë të parë nga mesi i viteve 90-të. Udhëtoi në mënyrë klasike: me tren (për shkak se frikësohej të fluturonte), pastaj me anije nga Italia në Durrës, ku falë ndihmës së banorëve e gjeti stacionin e trenit dhe vazhdoi rrugën për në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar u ballafaqua me problemin e radhës: “Me gjasë organizatorët kishin harruar t’i tregojnë se në cilin hotel ishte rezervuar një dhomë për të. Por edhe këtu banorët e Tiranës i dolën në ndihmë dhe e çuan te Hotel Dajti, ku me të vërtetë ishte rezervuar një dhomë për të”, tregon Oliver Jens Schmitt. Nga mesi i viteve 90-të Tirana ishte qytet i zymtë dhe me pak hotele. Peter Bartl ishte ndër albanologët e rrallë gjerman që kishte pasur rastin të njihej edhe me Eqrem Bej Vlorën, një politikan e publicist shqiptar me biografi sa osmane po aq edhe perëndimore.
“Bartl ishte një dijetar që në mënyrë konsekuente refuzoi të përdorte kompjuterin. Vazhdonte të shkruante me makinë shkrimi”, tregon Oliver Jens Schmitt. Te shtëpia botuese Harrassowitz-Verlag Bartl drejtoi edicionin “Albanische Forschungen” (hulumtime shqiptare). “Atë e ka mbajtur gjallë puna dhe dëshira për ta përfunduar botimin në pesë vëllime të Albania Sacra. Dhe këtë synim e arriti”, thotë Schmitt. Për historianin Konrad Clewing profesori Bartl mund të konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit kryesor të hulumtimeve shqiptare në botën gjermanoperëndimore në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Nga Kosova Bartl njihej dhe bashkëpunonte me historianin Hasan Kaleshi, i cili vdiq nga mesi i viteve 70-të. Kaleshi ishte ndër historianët e paktë të Kosovës që arriti të depërtojë në institucionet shkencore gjermane. Clewing e përshkruan profesorin e tij Peter Bartl si dijetar pa emocione të theksuara. “Qasja e tij bazohej në traditën e historizmit: koncentrim në burime dhe analizë të burimeve, njëkohësisht mbajtje e distancës nga çdo anësi politike”.
Siç ka shkruar profesori Edgar Hösch, Bartl e vazhdoi me kujdes traditën e studimeve të Stadtmüllerit dhe prej tij e trashëgoi edhe postin e drejtuesit të Institutit të Shqipërisë. Aty dha kontribut mbi tri dekada, duke kompletuar bibliotekën, duke koleksionuar dokumente e plotësuar burime. Në udhëtimet e tij profesionale ai mblodhi material për disertacionin e tij mbi lëvizjen nacionale shqiptare dhe për habilitim (mbi çështjen turke në shekullin e 17-të). Gjatë punës së tij ai hulumtoi dhe mblodhi materiale në bibliotekat dhe arkivat e Vjenës, Romës, Palermos, Kozencës (Cosenza), Mantuas, Torinos, Parmas, Firencës, Madridit, Bukureshtit.
Për shkak të mungesës së financave dhe të interesimit nga Universiteti i Münchenit, biblioteka e Institut të Shqipërisë, e mirëmbajtur dhe kultivuar nga profesori Bartl me dekada, u zhvendos në Universitetin e Vjenës – me nismën e profesorit Oliver Jens Schmitt. Aty është edhe sot. Një dëshmi e monument i punës së Peter Bartl, krahas shumë punëve të tjera të çmuara shkencore. Varrimi i Peter Bartl, siç njofton familja, do të bëhet më 7 prill në orën 10:00 në München.