Situata në Ukrainë siç duket po rëndohet çdo ditë dhe në mënyrë që të përballojë sulmet e Rusisë, Ukraina ka kërkuar të shtohet ndihma ushtarake e SHBA-së. Kërkesat e Ukrainës janë rritur së fundmi, ku në listën e ndihmave ushtarake nga SHBA-ja ka shtuar 1000 raketa në ditë. Këto raketa duhet të jenë dy llojesh, sipas kërkesës së Ukrainës, 500 duhet të jenë raketa anti-ajrore Stinger dhe 500 të tjera anti-tank Javelin.

Ukrainasit kanë paraqitur lista të ngjashme në javët e fundit, por një kërkesë e fundit e ofruar ligjvënësve amerikanë duket se pasqyron një nevojë në rritje për raketa anti-ajrore dhe raketa antitank . Pra, Ukraina po kërkon qindra raketa më shumë sesa ishin përfshirë në një listë të ofruar së fundmi nga ligjvënësit amerikanë.

Lista e re vjen pasi ukrainasit kanë pohuar se përballen me mungesa të mundshme të armëve në mes të një sulmi të vazhdueshëm rus, duke shkaktuar disa reagime nga zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s, të cilët theksojnë se tashmë po shkojnë më shumë ndihma ushtarake në vend. Deri më 7 mars, më pak se dy javë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, SHBA dhe anëtarë të tjerë të NATO-s kishin dërguar rreth 17,000 raketa antitank dhe 2,000 raketa kundërajrore në Ukrainë.

Që atëherë, vendet e NATO-s, përfshirë SHBA-në, e kanë ndihmuar Ukrainën, edhe pse Rusia ka kërcënuar të shënjestrojë dërgesat.