Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ka dhunuar me grushte dy vajza në rrugën e Bogdaneve. Denis Telo goditi Albina Rukon, 26-vjeç dhe Mirela Rukon, 29-vjeçe, në mes të rrugës, teksa po ecnin qetësisht në zonën ku edhe banojnë. Nga pamjet e publikuara shihet edhe dhuna e shkaktuar nga i riu. Nga burime për Report Tv, mësohet se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është arrestuar edhe më parë për dhunë ndaj kalimtareve, ndërsa nuk është marrë asnjë masë nga ana e policisë dhe organeve shtetërore.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: – D. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës se djeshme kanë bërë kallëzim shtetaset A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, se një shtetas i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë, rast i cili është bërë publik dhe në rrjete sociale.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin D. T., ku në përfundim të veprimeve u bë dhe arrestimi i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.

Dy vajzat e sulmuara Albina dhe Mirela Ruko janë aktiviste të kahershme të Organizatës Politike.