Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë të fortë, ku u shpreh se e sheh presidentin serb Aleksandër Vuçiç, “si një kukull të Kremlinit, që po përpiqet të imitojë Rusinë”.
Në një interviste për “La Repubblica”, ai tha: “BRSS është kthyer në një oktapod me Federatën Ruse në qendër dhe tentakulat e saj në: Donbass, Krime, Transnistria, Osetia e Jugut… Ndërsa ish-Jugosllavia është një oktapod me Serbinë në qendër, entiteti serb në Bosnje, një entitet serb në Mal të Zi që nuk e njeh pavarësinë e tij dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës.”
Kryeministri i Kosovës shtoi se pushtimi rus i Ukrainës nuk e befasoi pasi e priste, duke theksuar se Putin dëshiron të rishkruajë historinë.
“Ne e dënuam menjëherë pushtimin rus, na tronditi, por nuk u befasuam. Ai dëshiron të rishkruajë historinë dhe mendon se është në lartësinë e duhur. Lufta në Ukrainë, ku ai nuk po arrin rezultate të mëdha, nuk do t’i mjaftojë. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar: Mund të përpiqet ta bëjë këtë në Ballkanin Perëndimor. Ai mund të përdorë armë kimike siç ka bërë tashmë në Siri. Në Ballkan janë tre vende të NATO-s: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Pastaj është Kosova ime, e cila nuk pjesë, por e ka me vete NATO-n (misioni paqeruajtës i KFOR-it). Ne duhet të marrim një hap i mëtejshëm drejt partneritetit me aleancën euroatlantike, është thelbësore për sigurinë e zonës dhe ne mbështetemi tek ndihma e Italisë”, u shpreh Albin Kurti.