Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Forumin e Diplomacisë së Antalias, që u mbajt në Turqi. Gjatë fjalës së saj në panelin “Dialogu Pajtues në Ballkan”, Ministrja Xhaçka theksoi se BE ka bërë një punë shumë të mirë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj sulmi mbi Ukrainën rikonfirmoi atë ç’ka vetë Shqipëria e kishte thënë prej kohësh: aktorë të tretë po ndërhyjnë për të zhbërë gjithë arritjet e deritanishme.

“Bisedë pas bisede, më kujtohet se kemi folur me të gjithë homologët tanë evropianë se këtë perspektivë të vendit tonë, Bashkimi Evropian nuk po e mendonte strategjikisht, nuk po adoptonte një qasje strategjike për sigurinë dhe perspektivën evropiane të rajonit. Integrimi po ngecte. Procesi që kishim nisur, i cili ishte bazuar në merita, megjithëse kishim përmbushur të gjitha detyrimet që kishim, po mbahej artificialisht pezull dhe kjo krijoi një vakum. BE humbi besueshmërinë e saj”, tha kryediplomatja shqiptare.

Më tej, duke iu referuar agresionit rus ndaj Ukrainës Ministrja Xhaçka theksoi se BE duhet të shikojë me rëndësi thelbësore integrimin për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e procesit.

Forumi i Diplomacisë së Antalias është një mbledhje e nivelit të lartë të profesionistëve që merren me diplomaci si liderë politikë, diplomatë, opinionistë apo akademikë. Ai paraqet një platformë për aktorët rajonalë dhe globalë nga sferat e diplomacisë, politikës dhe biznesit për të shkëmbyer ide dhe për të adresuar sfidat ndërkombëtare.