Trajneri i Barcelona-s, Xavi, duket se ka refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e Manchester United në vitin 2021. Spanjolli është vënë në shënjestër nga anglezët për të marrë vendin e Ole Gunnar Solskjaer, pas shkarkimit të norvegjezit në nëntorin e 2021-shit.
Megjithatë, pavarësisht ofertës që klubi i ka bërë Xavi-t gjatë kohës që ishte në drejtim të Al-Sadd, trajneri e ka refuzuar për të qenë në dispozicion të Barcelona-s, sipas El Nacional.
Parardhësi i Xavi-t, Ronald Koeman, është shkarkuar nga klubi katalanas vetëm disa javë para Solskjaer, me trajnerin Sergi Barjuan që ka marrë përkohësisht drejtimin e ekipit të parë.
Gjithsesi, bordi drejtues i klubit donte me çdo kusht ta kthente Xavi-n në Camp Nou dhe ka arritur një marrëveshje me 42-vjeçarin në fillimin e muajit nëntor, duke nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit 2023/24.