Një grup qytetarësh vazhdojnë të qëndrojnë përballë Kryeministrisë, por të zhvendosur tashmë në trotuar. Në një dalje për mediat, Zv/drejtori i DVP Tiranë, Luigj Vathi sqaroi se policia ia kishte komunikuar me shkrim organizatorëve të kësaj proteste se pas orës 17:00 ata duhet të lironin rrugën. Vathi tha se protesta po vazhdon dhe ndërhyrja e policisë lidhej vetëm me lirimin e rrugës.

“Dua të bëj një sqarim në lidhje me mbarëvajtjen e protestës sot. Në bazë të njoftimit që kanë bërë organizatorët, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës deri në orën 17:00. Pas një kërkesë të dytë nga organizatorët ne ju kemi kthyer përgjigje me shkrim duke i njoftuar për lirimin e rrugës dhe vazhdimin e protestës në trotuar. Ju garantoj që Policia e Shtetit nuk i ka shpërndarë protestuesit, por ka bërë thjeshtë lirimin e rrugës dhe protestuesit po vazhdojnë të protestojnë në trotuarin përballë Kryeministrisë.

Ne thjeshtë kemi liruar rrugën për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe për mbarëvajtjen e automjeteve edhe të transportit publik. Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë, por pa cenuar liritë dhe të drejtat e asnjë qytetari të Tiranës. Nuk diskutojmë ligjshmërinë e protestës, protesta po vazhdon, por ne thjeshtë kemi bërë lirimin e rrugës”, tha Vathi.

Një grup qytetarësh protestuan sërish këtë të shtunë përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Ata i kërkuan qeverisë heqjen e taksës së qarkullimit, pezullim të alternuar të barrës fiskale mbi çmimin e karburantit, pezullimin e TVSH-së për produktet e shportës, si dhe zgjerim të skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët.

Pjesë e kërkesave është një paketë reale ndihmë për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike, si dhe ndërprerja e koncensioneve deri në tejkalimin e krizës.

Një grup i protestuesve deklaroi se do të qëndrojnë 24 orë përpara Kryeministrisë, por pas ndërhyrjes së policisë rruga është liruar për automjetet./tvklan.al