Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja vitin e kaluar arritën vlerën rekord të 501 milionë eurove.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria u rritën me 14.6% krahasuar me një vit më parë. Vlera e shënuar vitin e kaluar përfaqëson nivelin më të lartë, për të paktën 15 vjet. Fasoneria ishte kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e llogarisë korente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.
Këto kolona kanë një rëndësi të madhe për pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, sepse mundësojnë ngushtimin e deficitit të madh në tregtinë e mallrave. Pandemia dha ndikim të ndjeshëm si në numrin e ndërmarrjeve, që ra me 16% krahasuar me vitin 2019, ashtu edhe në numrin e të punësuarve, që u tkurr me afërsisht 10%.
Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vetëm në sektorin e tekstileve dhe veshjeve në fund të vitit 2020 numëroheshin 581 ndërmarrje, që punësonin gjithsej afërsisht 28 mijë punonjës.
Zbutja e ndjeshme e pasojave të pandemisë, që kishin qenë faktori kryesor frenues gjatë vitit 2020, ka ndikuar në kthimin në trajektoren rritëse të biznesit të fasonerisë.
Statistikat e bilancit të pagesave e dëshmojnë qartë rimëkëmbjen gjatë vitit 2021, ndërsa të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë një ecuri pozitive edhe në muajt e parë të këtij viti.
Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë besohet se mund të sjellin zhvendosjen e aktiviteteve prodhuese të investitorëve perëndimorë prej këtyre tregjeve. Shqipëria mund të jetë një nga vendet që potencialisht do të përfitonin nga kjo zhvendosje, për shkak të sektorit fason në rritje të vazhdueshme në periudhën postkomuniste./Monitor