Një grup kompanish lidere në tregun e energjisë në SHBA dhe BE, u bënë bashkë sot në Tiranë për të diskutuar përfshirjen në zbatimin e planit ambicioz të transformimit të Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë dhe kampione e Ballkanit për energjinë.

Në konferencën e mbajtur, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi në fjalën e saj rëndësinë e konferencës së sotme, në një moment kritik për situatën energjetike në të gjithë botën, ku kriza ndërkombëtare nuk ka kursyer asnjë shtet, të zhvilluar apo jo.

Sipas saj, mbështetja në burime të përqendruara, midis ekonomive kryesore ndikoi qartë tregjet ndërkombëtare duke evidentuar dobësitë e gjendjes dhe skemës aktuale të zinxhirit të furnizimit me energji.

Nga ana tjetër, vijoi ajo, sfidat klimatike dhe kuadri i ri rregullator i dekarbonizimit të BE-së kërkojnë përshpejtim të tranzicionit energjetik, duke hequr dorë nga prodhimi i energjisë me anë të lëndëve fosile. Megjithatë, shtoi Balluku, kemi qenë dëshmitarë se si themelet e këtyre angazhimeve janë lëkundur nga tërmeti i krizës, e cila riktheu vëmendjen e të gjithë vendimmarrësve në dilemën, midis tranzicionit të gjelbër apo sigurisë së energjisë.

Sipas Ballukut, qeveria shqiptare kohë përpara se të shfaqej kjo krizë energjetike ndërkombëtare e ka renditur sigurinë energjetike si një prioritet për vendin tonë.

“Kemi nisur me parqet e mëdha fotovoltaike të diversifikojmë portofolin e sigurimit energjetik në Republikën e Shqipërisë dhe tashmë jemi në një fazë ndërtimi të dy parqeve fotovoltaike më të mëdha ndoshta për Ballkanin që janë parku i Karavastasë dhe ai i Spitallës që po ndërtohen nga kompania franceze ‘Voltalia’. Skavica, një ëndërr në sirtar, hidrocentrali i katërt i kaskadës, ndryshe i njohur si rregullatori dhe depozita më e madhe energjetike në vend, ka nisur nga ndërtimi me një partner të çmuar, si kompania ‘Bechtel’. Ne tashmë po bëjmë realitet një nga ëndrrat më të mëdha energjetike shqiptare. TEC-i i Vlorës, i cili më shumë se një aset ka qenë një barrë për buxhetin e shtetit, pasi edhe pse u ndërtua nuk u vu asnjë ditë në punë pas një defekti teknik, por qeveria shqiptare paguante prej vitesh kredinë, sot është një projekt i mirëfilltë për jetësimin e tij me partnerët tanë ‘Exon Mobil’ dhe ‘Excelerate Energy’, të cilët kanë vërtetuar angazhimin e tyre të plotë dhe serioz në këto dy vitet e fundit”, tha ajo.

Ndërsa, sipas Ballukut, porti i lundrueshëm në Gjirin e Vlorës që do të furnizojë TEC-in dhe do të shndërrojë Shqipërinë në një HUB rajonal të shpërndarjes së gazit të lëngshëm në një shkallë të vogël, ka qenë vizioni fillestar që kemi pasur për këtë projekt të integruar.

Megjithatë, ministrja tha se ambicia e qeverisë për të kthyer vendin në një aktor dhe faktor të sektorit energjetik në rajon, arriti të ridimensionojë krejtësisht këtë projekt, duke hapur horizonte të reja dhe krijuar hapësira për bashkëpunim, të cilat ne jemi mbledhur sot për t’i diskutuar e bërë një analizë.

Ministrja vuri në dukje se zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë evidentuar dobësitë në peizazhin energjetik aktual.

Ajo shtoi se varësia nga gazi rus ka lënë të ekspozuara mjaft vende të rajonit dhe Europës, duke kërcënuar kështu sigurinë e tyre energjetike.

“Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë, nëpërmjet tubacionit Fier-Vlorë, ka tërhequr jo pa shkak vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit, të cilët ndodhen këtu në këtë sallë. Deri para pak kohësh koncepti i injektimit të gazit nga Vlora në TAP do të ishte pritur me skepticizëm, por sot për shkak të pasojave të krizës energjetike, ky koncept është jo vetëm i mundur e zbatueshëm, por edhe aspekti më interesant dhe çelësi fitues i këtij projekti”, tha Balluku.

Duke shfrytëzuar pozicionin gjeopolitik të Shqipërisë, por edhe vizionin dhe strategjitë e qeverisë për zhvillimin e sektorit, partneritetet e kultivuara ndër vite, Balluku theksoi se sot jemi të aftë të korrim frytet e punës sonë, duke zhvilluar një projekt që do të transformojë pozitën tonë dhe do të pozicionojë vendin tonë, si qendër jo vetëm të furnizimit me gaz, por edhe si një kontributore në sigurinë energjetike të rajonit, pse jo dhe të gjithë Europës.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se projekte e mëdha nuk realizohen vetëm, por duhen partnerë seriozë e të besuar që ndajnë të njëjtat prioritete dhe shohin nëpërmjet të njëjtës lente optike, ashtu si dhe ne. Ne jemi me fat që kemi mundur të gjejmë partnerë si Exon Mobile, Excelerate Energy, TAP, Voltalia, ENI apo Shell, që jo vetëm janë ndër bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë, por janë dëshmi se qeveria Rama ka rikthyer besimin e investitorëve se Shqipëria është një vend i vogël me potenciale të mëdha. Por mbi të gjitha, ka vërtetuar se qeveria ka krijuar klimë biznesi tërheqëse, por edhe transparente për të përthithur investime që ndikojnë në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit”, deklaroi ministrja Balluku.

Ajo u shpreh besimplotë se kjo konferencë e sotme do të shërbejë për të forcuar piketat e zhvillimit të projekteve konkrete në funksion të qëllimit, për një treg të qëndrueshëm dhe siguri të plotë energjetike.

Ministrja vlerësoi edhe kontributin e ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim për gjetjen e partnerëve seriozë për termocentralin e Vlorës, projekt i cili, sipas saj, do të shndërrohet në një projekt të integruar dhe nga projekt lokal në një projekt rajonal që do të sjellë përfitime për të gjithë.