*Nga Tonino Picula, Tanja Fajon, Isabel Santos, Andreas Schieder, Dietmar Köster, Demetris Papadakis  “Eu Observer”

Tridhjetë vjet më parë në Bosnje Hercegovinë filloi një luftë që zgjati mbi 3 vjet, dhe që vrau më shumë se 100.000 njerëz. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në Srebrenicë në lindje të vendit, ku gjatë disa ditëve në korrikun e vitit 1995 ushtarët serbë të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

30 vjet më vonë, Bosnja gjenden në një krizë të thellë politike, e përçarë nga elitat e korruptuara politike, mohuesit e gjenocidit dhe nga politikanët pro Kremlinit. Për hir të axhendave të tyre separatiste dhe interesave personale, ata janë gati që ta shtyjnë sërish vendin në prag të kolapsit.

Si socialistë dhe demokratë në Parlamentin Evropian, ne i kemi bërë thirrje prej kohësh Bashkimit Evropian që të jetë më aktiv për t’i dhënë fund kësaj krize, duke përfshirë edhe ushtrimin e presionit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që i bojkotojnë institucionet shtetërore boshnjake.

BE-ja ka detyrimin të mbrojë integritetin territorial, unitetin dhe paqen e Bosnje Hercegovinës, si dhe të parandalojë rikthimin në dhunën e viteve 1990. Por për të luajtur një rol më të fortë politik në Bosnje, Evropa duhet të rifitojë urgjentisht besueshmërinë e saj në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është e habitshme se sa të zhgënjyer me Bashkimin Evropian po bëhen njerëzi në rajon. Besimi tek BE-ja po bie me ritme shqetësuese.

Premtime të shkelura?

Për shembull, sipas Institutit për Demokraci, Societas Civilis, perceptimi publik i BE-së si aleatja më e madhe e Maqedonisë së Veriut, ra ndjeshëm nga 43.2 për qind në vitin 2019 në vetëm 13.1 për qind në vitin 2021.

Një nga arsyet e kësaj rënie është apatia e Brukselit. Apo edhe më keq: premtimet e shkelura. Kur Athina dhe Shkupi ranë dakord për Marrëveshjen historike të Prespës 4 vjet më parë, për të zgjidhur një mosmarrëveshje 27-vjeçare që kishte të bënte vetëm me emrin e Maqedonisë së Veriut, ajo krijoi një mundësi të madhe: fillimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në gjirin e familjes evropiane.

Në këtë mënyrë do të “mbilleshin farat” e paqes dhe zhvillimit për miliona njerëz.

Por ne nuk e mbajtëm fjalën. BE-ja nuk i ka çelur ende bisedimet e anëtarësimit, as me Maqedoninë e Veriut dhe as me Shqipërinë, edhe pse është shprehur vazhdimisht se të dyja vendet kanë bërë gjithçka që u kemi kërkuar për të nisur negociatat.

Lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe vlerave evropiane, duhet të jetë një zile alarmi për Bashkimin Evropian që të zgjohet dhe ri-angazhohet urgjentisht në Ballkanin Perëndimor. Çdo vonesë e mëtejshme në procesin e zgjerimit të BE-së, do ta bëjë akoma të më brishtë këtë rajon.

Disa fuqi rajonale dhe globale kanë një interes politik dhe financiar në rritje, për të penguar ambiciet evropiane të 6 republikave të Ballkanit Perëndimor.

Ndërhyrja e huaj ruse dhe fushatat dezinformuese, kanë lënë tashmë gjurmët e tyre, sidomos në Bosnje Hercegovinë, Malin e Zi dhe Serbi, ku kemi parë demonstrata në mbështetje të Federatës Ruse pas sulmit të Vladimir  Putinit ndaj Ukrainës.

Varësia e Serbisë nga Moska shkon aq larg, saqë qeveria serbe refuzoi të rreshtohej me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në rast se autoritetet serbe nuk e ndryshojnë kursin e tyre pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale, atëherë kjo duhet të ketë pasoja për perspektivën e këtij vendit në Bashkimin Evropian.

Por në çdo rast, Evropa nuk duhet të heqë dorë nga rajoni. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për angazhimin dhe veprimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, për t’iu kundërvënë fushatave ndërhyrëse të Rusisë dhe Kinës, që përhapin ndjenja kundër BE-së por dhe bëjnë përpjekje për ta destabilizuar të gjithë rajonin.

Ne u bëjmë thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian që të çelin negociatat e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën. Ne besojmë fuqimisht se sapo të hapen këto negociatat, ndikimi i dezinformatave ruse, si dhe i grupimeve dhe partive populiste të mbështetura nga Rusia do të bjerë, dhe forcat pro-demokratike dhe pro-evropiane do të fokusohen në reformat e nevojshme drejt anëtarësimit evropian.

Procesi i zgjerimit, i kryer siç duhet, do të jetë një katalizator që do të nxisë ndryshime në favor të demokracisë, lirisë së medias, lirive civile dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Putin ua ka mohuar rusëve për vite me radhë, dhe për të cilat ukrainasit janë tashmë të detyruar të luftojnë.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, tek sundimi i ligjit, demokracia liberale, drejtësia sociale dhe energjia inovative e një shoqërie të hapur.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe më e rëndësishmja, negociatat e plota dhe ambicioze në rrugën drejt tij, ofrojnë garancinë e vetme që qytetarët e 6 kombeve do t’i gëzojnë këto përfitime në një moment dhe në një të ardhme jo shumë të largët. Evropa nuk duhet t’i zhgënjejë ata./abcnews.al

*Shënim: Të gjashtë autorët e këtij artikulli janë deputetë socialistë dhe demokratë në Parlamentin Evropian, dhe raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor.