Nga Endri Kajsiu/ Sali Berisha dhe Ilir Meta janë më të bashkuar se kurrë sot edhe pse ata kanë qenë bashkë vazhdimisht që pas vitit 2009. Këtë e di sot i madh e i vogël në Shqipëri dhe përtej deteve e oqeanit. Meta-Berisha ishin bashkë kundër reformës në drejtësi. Po të mos ishte për presionin ndërkombëtar, reforma nuk do të kishte ndodhur. Edhe në kohën kur Berisha e Basha ishin në çadër për të mos votuar Vettingun, Meta edhe pse në koalicion me Ramën ‘furnizonte’ çadrën fshehurazi, derisa në një moment doli zbuluar.
Meta-Berisha kanë qenë bashkë mandej vazhdimisht, hapur. Ilir Meta nga karrigia e Presidentit ka qenë ortaku më i ngushtë i Sali Berishës dhe nuk ka ngurruar ta thotë edhe publikisht. Së fundi, Ilir Meta i bëri dy shërbime doktorit duke shpallur zgjedhjet e parakohshme për të zënë Bashën gafil dhe mandej duke i dhuruar partinë për ta mundur atë.
Por, paralelisht më luftën e brendshme, ata kanë qenë dhe janë bashkë kryesisht në luftën kundër SHBA-ve, ku janë të koordinuar dhe me një strategji të qartë sulmi. Duke e ditur të dy që janë ‘non grata’ në SHBA, e filluan sulmin ndaj partnerit tonë më të madh që herët, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Luftë kjo që u intensifikua pas shpalljes së Sali Berishës non grata nga SHBA.
Ilir Meta e ka nuhatur se do të shpallet si Berisha sapo të mbyllë mandatin e Presidentit. Ai e di që në letrat që ka DASH, aleati që SHBA thotë se Berisha ka kryer korrupsion dhe ka ndaluar drejtësinë të bëjë punën e saj, është emri Ilir Meta. Pikërisht kjo frikë që kanë të dy, i ka tërbuar dhe nuk ndalojnë së kundërvëni ndaj SHBA-ve. Ndërkohë që dje ambasadorja Kim ishte në manifestimin kundër luftës në Ukrainë dhe kundër Rusisë, Berisha protestonte tek SPAK për të hequr vëmendjen. Sot që Edi Rama i bën thirrje SPAK-ut që të hetojë ‘non grata-n’ Sali Berisha, Ilir Meta del i tërbuar dhe sulmon kryeministrin.
Thënë këto, panorama është e qartë. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkë në luftën kundër SHBA-ve, janë bashkë në frikën që kanë nga drejtësia dhe të koordinuar në gjithçka bëjnë. Dhe do vijojnë ta bëjnë deri në fund, derisa të vijë fundi i tyre.