Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë jashtë vëmendjes Reformën në Drejtësi duke thënë se SPAK duhet të vërë në rendin e ditës dhe gjykatësit e prokurorët që nuk justifikojnë dot pasurinë, të cilët sipas tij duhet të përfundojnë pas hekurave.

Edi Rama: Gjykatësit dhe prokurorët duhet të shkojnë në burg nëse nuk justifikojnë dot pasurinë. Ata që i kanë bërë nënën drejtësisë në Shqipëri për dekada të tëra dhe që kanë qenë në një marrëdhënie mëkati permanent qoftë me këtë që është përballë këtu, qoftë me atë tjetrin që nuk e di se ku ka humbur dhe me të gjithë politikën që u mblodh grusht e bashkuar që nuk donte të na linte të bënim Reformën në drejtësi, këta gjykatës e prokurorë duhet të jenë të kryqëzuar. Për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi, që të godasë këta që e kanë bërë mullar atë që s’thuhet, duke i bërë karshillëk atyre që s’kanë bukë të hanë.

Këta i nxirrnin kriminelat mostra me shëtitje. Këto janë tema të cilat SPAK-u bën mirë t’i vërë në rendin e ditës dhe nëse dikush ka krijuar idenë e gabuar që s’kemi gojë, kjo e sotmja vlen dhe për këtë. Historia e drejtësisë nuk shkruhet duke i shkuar nga mbrapa cdo personazhi grotesk.