Ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach njoftoi sot se pritet që situata e koronavirusit në vend të lehtësohet gjatë verës, por jo aq sa vitin e kaluar për shkak të prevalencës së variantit Omicron.

“Në mënyrë sezonale, pandemia do të jetë në rënie”, tha ai gjatë një konference për shtyp në Bavari. Lauterbach parashikoi një rënie të numrit të rasteve me Covid-19, por jo aq të ulët sa vitin e kaluar, kur vera ishte pothuajse pa koronavirus.

“Varianti Omicron është shumë ngjitës. Vera duhet shfrytëzuar për t’u përgatitur për vjeshtën, ku pritet një valë e re infeksionesh”, tha ai. Lauterbach vlerësoi se tani ka ndoshta dy herë më shumë raste të koronavirusit sesa raportohen zyrtarisht.

Ai gjithashtu vuri në dukje ekzistencën e varianteve të reja të virusit, duke përfshirë një nënvariant që qarkullon në Shtetet e Bashkuara, i cili përhapet shumë më shpejt se ai që mbizotëron në Gjermani. “Paguhem për ta paraqitur të vërtetën në atë mënyrë që të mos jetë as e ekzagjeruar dhe as optimiste”, tha ai.