Unë do të bëj çdo gjë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, që mund të çojë në një luftë të tretë botërore, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz në një intervistë për “Der Spiegel”, lidhur me dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë.
“Çështja, që aktualisht po diskutohet ashpër në Gjermani, nuk trajtohet mbi bazën e ndjenjës së frikës, por mbi bazën e përgjegjësisë politike”, theksoi Scholz. Gjermania eksportoi armë me vlerë 1,5 miliardë euro (1,6 miliardë dollarë) në 2021, vlera më e lartë që nga viti 2017, sipas shifrave të publikuara nga Ministria gjermane e Ekonomisë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, eksportet e armëve shënuan një rritje në vitin 2021, i treti vit radhazi. Eksportet arritën një total prej 1,38 miliardë euro në vitin 2020.
Vitin e kaluar, Gjermania eksportoi armë në 10 vende kryesore si, Egjipti, Izraeli, Katari, Turqia, Britania e Madhe, Norvegjia dhe vendet e BE-së, Italia, Holanda, Letonia dhe Austria.