Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim emocionues për jetën dhe veprën e Sekretares së parë grua në historinë e SHBA-së në ceremoninë mortore që po mbahet në Katedralen Kombëtare në Washington.

Shefi i shtëpisë së Bardhë tha se Sekretarja Albright s’kishte frikë të përballej me diktatorët e botës shkruan Gazeta Express.

“Ajo e kuptoi diçka që unë e besoj gjithmonë se të gjithë politikat ndërkombëtare janë personale, ajo nuk frikësohej të përballej me diktatorët më të fuqishëm dhe pastaj ta mësonte një ish-ambasador si të kërcente në Këshillin e Sigurimit. Ajo gjithmonë u sigurua që gratë e reja të kenë mundësinë të jenë të pranishme në çdo tavolinë që kishte të bënte me sigurinë kombëtare të SHBA-së”, tha Biden.

Presidenti Biden tha se Albright ishte aleatja kryesore e Senatit në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan.

“Emri i saj është sinonim i Amerikës si forcë e së mirës në botë. Në punën tonë për të ndalur gjenocidin në Ballkan për të përkrahur demokracitë në lindje të Evropës, Madeleine ishte një aleate dhe përkrahëse në Komitetin për Punë të Jashtme në Senat”, tha Biden.

Biden shtoi se për vdekjen e Albright mori vesh teksa ishte duke fluturuar për Evropë për t’u takuar me aleatët e NATO-s.

“Kur më erdhi lajmi se Madeleine Albright ka vdekur isha në mes të fluturimit për në Evropë për t’i takuar aleatët e NATO-s. Sekretarja Albright është pjesë e madhe e arsyes që NATO është e fuqishme siç është sot”, tha Biden.