Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor e ka qajtur akt historik vendimin e Qeverisë për e-Transportin për rrjetin e transportit ndërqytetës, një gur themeli për rregullimin e lëvizjes përmes transportit rrugor të linjave, formalizimin e sektorit dhe krijimin e kushteve për politika sociale çmimi e rimbursimin objektiv e transparent të operatorëve të licensuar! Përmes një postimi në rrjetet sociale ky institucion shpjegon se përmes këtij vendimi hapet rruga për fazën 2 të projektit që implementon biletimin elektronik përmes Platformës Kombëtare e-Transport, me akses online për qytetarët e turistët, në ndihmë e pa kosto administrimi për subjektet e përfshira, me pajisje fiskalizimi e pagesa në kohë reale çdo operatori!
Pikat thelbësore të vendimit:
🔹“Në transportin ndërqytetas, prerja e biletave të bëhet nëpërmjet përdorimit të sistemit e-Transport, nga agjencia e transportit ose nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit, të instaluara në mjete të transportit rrugor, të integruara me sistemin e-Transport..”
🔹“Pajisja për printimin e biletave duhet të jetë e integruar me sistemin elektronik e-Transport dhe të garantojë ciklin e plotë fiskal të biletës.”.
🔹“Agjencia e transportit të udhëtarëve, sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e licencuar për çdo linjë të transportit ndërqytetas, përdor sistemin elektronik e-Transport për ndjekjen e ciklit të plotë të prerjes së biletës, përzgjedhjen e linjës së transportit ndërqytetas, të vendeve të lira, të orareve, të fiskalizimit, si dhe të menaxhimit elektronik në kohë reale të biletave të prera.”.
🔹“Platforma elektronike e-Transport, mbështetur nga pajisjet e transaksionit elektronik të biletimit në format letër, duhet të garantojë ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, në integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit.”.
🔹“Biletat e transportit në shërbimin ndërqytetas rrugor të udhëtarëve mund të jenë në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, ku të dyja formatet gjenerohen dhe ekzekutohen nëpërmjet platformës elektronike të dedikuar.”
🔹”Biletat e transportit të udhëtarëve përmbajnë, në çdo rast:
- a) gjatësinë e udhëtimit në km;
- b) çmimin për km;
- c) numrin e serisë;
ç) emrin e operatorit të transportit;
- d) datën dhe kohën e nisjes;
- dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit;
- e) të dhëna për faturën fiskale;
ë) vulën elektronike.”.
🔹“Për shërbimin ndërqytetas të transportit rrugor të udhëtarëve, rregullat e posaçme, kriteret dhe procedurat për rimbursimin e shoqërive të transportit rrugor ndërqytetas për personat që përfitojnë lehtësi, sipas akteve ligjore dhe nënligjore të veçanta, caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për financat, për transportin rrugor, për mbrojtjen sociale dhe për arsimin.”.
✔️🖥💻 Aktualisht, i gjithë shërbimi i licencimit dhe certifikimit për rrjetin e transportit ndërqytetës ofrohet dhe trajtohet online! Aplikimi bëhet nëpërmjet 8 shërbimeve në platformën e-Albania, trajtimi kryhet në sistemin e brendshëm e-Transport, komunikimi me subjektet kryhet online dhe dokumentet gjenerohen me vulë elektronike!
Vizioni është për ta bërë Sistemin e Transportit Publik të Sigurtë, të Përballueshëm, të Qëndrueshëm dhe të Aksesueshëm për të gjithë!