Të dhënat mbi subjektet tregtare nga Ballkani Perëndimor janë të disponueshme në platformën e përbashkët rajonale të regjistrit – BIFIDEX, njoftoi Qendra Kombëtare e Biznesit. Platforma e përbashkët rajonale e Ballkanit Perëndimor e regjistrit të biznesit BIFIDEX, anëtare e së cilës është edhe regjistri tregtar i administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, është tashmë e gatshme për përdorim me kapacitetin e saj të plotë.

Platforma BIFIDEX.com është një platformë rajonale për analizimin e të dhënave tregtare dhe financiare të shoqërive nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe mundëson akses në të gjitha të dhënat statutore dhe financiare të përafërsisht 1.5 milionë shoqërive dhe individëve nga regjistrat zyrtarë të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës (Republika Srpska).

Platforma mundëson një informacion të plotë mbi shoqëritë e lidhura dhe degët në të gjithë rajonin. Të dhënat të cilat janë publike dhe lehtësisht të aksesueshme në regjistrat zyrtar, merren në kohë reale me anë të kërkimit drejtpërdrejt në bazat e të dhënave të regjistrave zyrtarë, dhe janë të disponueshme në të gjitha gjuhët zyrtare, si edhe në anglisht, ndërsa analiza financiare është në dispozicion në të gjitha monedhat vendase dhe në euro.

Kërkimet për shoqëri dhe individë janë pa pagesë. Platforma BIFIDEX po zhvillohet që nga viti 2017 si një iniciativë rajonale e regjistrave tregtar, që synon rritjen e transparencës, sigurisë juridke dhe lehtësimin e ushtrimit të veprimtarisë tregtare, në tregun më të gjerë rajonal të Ballkanin Perëndimor.

“Krahas lidhjes rajonale të të dhënave të saj me platformën BIFIDEX, Qendra Kombëtare e Biznesit vazhdon të përmirësojë shërbimet për përdoruesit e saj me futjen e shërbimeve të reja për bizneset në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e QKB.