Nga Bledi Lumani
Që Sali Berisha ka një problem të madh me Amerikën, ky tashmë është fakt.
Dhe nuk është vetëm shpallja “non grata” familjarisht, por nuk e duan më fare në politikë.
Këtë problem, Sali Berisha është përpjekur ta zhvlerësojë me Sorosin, duke thënë që në krye të herës, se u shpall “non grata” pikërisht nga lobimi i miliarderit të njohur.
Jo vetëm kaq, por vijoi më tej duke shpikur një përrallë, se ajo Amerikë që e ka shpallur atë “non grata”, nuk është Amerika e vërtetë, se është e kapur nga Sorosi, dhe se paska një Amerikë tjetër, që mendon ndryshe për të.
Por kush është kjo Amerikë?
Deri më tani, zyrtarët më të lartë të saj, duke nisur nga sekretari i Shtetit Blinken, përfaqësuesi i lartë Escobar dhe përfaqësuesja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, janë shprehur qartë kundër Sali Berishës.
Vetëm Joe Biden ka mbetur pa u shprehur kundër tij, por dhe nëse kjo do të ndodhte, edhe ai do të shpallej i “kapur” nga Sorosi.
Atëhere kush mbetet nga kjo Amerika tjetër e pakapur nga Sorosi, që qenka me Doktorin, dhe nga kush përfaqësohet?
Publikisht nuk njohim asnjë, me përjashtim të një kongresmeni, Lee Zeldin, që çdo muaj bën ndonjë kërkesë për t’i vënë para provat e korrupsionit të Berishës dhe familjes së tij dhe… Evi Kokalarin, një delirante që e shet veten si aktiviste e rëndësishme e republikanëve amerikanë.
Përmendin herë pas here edhe Donald Trump, për të cilin kanë shpresë se do të kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj do t’i hiqte damkën e “non grata”-s Doktorit, por harrojnë se gjithë mbrojtja e tyre, pse Sorosi loboi për shpalljen “non grata” të Berishës, se ky doli kundër ndarjes së Kosovës, do të binte, pasi strumbullari i planit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, ishte pikërisht Trump.
Janë edhe këta analistët e Tiranës pastaj, që na tregojnë sa e padrejtë është Amerika, që merret me Berishën dhe jo me Ramën, por ata nuk i llogarit njeri.
Fakt është se sot, e drejtë apo jo, Uashingtoni zyrtar është i qartë dhe në një zë kundër Sali Berishës, ndryshe nga sa thotë ky dhe mediat e tij, se qendrimet e Blinken, Escobar, apo Yuri Kim, janë personale.
Ata sot janë përfaqësuesit e SHBA dhe flasin në emër të saj, na pëlqen ne apo jo.
Sigurisht, dikujt do t’i pëlqente që ata të flasin si Evi Kokalari, por për këtë do të na duhet të presim çlirimin e Shtëpisë së Bardhë nga kuçedra Soros.
Deri atëhere, do të na gumëzhijnë veshët nga fjalia e tmerrshme “mos hani bar për Berishën”!