Në një regjistrim të shpërndarë në rrjet, ushtarët rusë dëgjohen duke dënuar komandantët e tyre ushtarakë që i kanë braktisur, dhe pretendojnë se kanë ngelur vetëm në luftën kundër trupave ukrainase.

Luftëtarët rusë konfirmojnë se ata as nuk e dinë se ku kanë ikur eprorët e tyre ushtarakë. Një ushtar iu referua komandantëve të tij si “çakej”. Zërat në regjistrim, bëjnë me dije se udhëheqësit ushtarakë kanë disa ditë që “nuk janë bërë të gjallë”, duke i lënë ushtarët e tyre pa burime thelbësore luftarake. Ushtarët u tërbuan me komandantët e tyre që nuk arritën të siguronin një mënyrë për t’u tërhequr, duke i lënë ata të bllokuar në luftë, raportojnë mediat britanike.

Audio detajon se si ushtarët janë munduar të ruajnë burimet jetike, pasi kishin shpresuar se udhëheqësit e tyre do të sillnin ushqim. Në një tirade shpërthyese, ushtarët dënuan se si komandantët e tyre shijonin “cigaret” midis furnizimeve të tjera përpara se të linin trupat e tyre ruse të bllokuara dhe pa drejtim.