Dhurimi i rregullt i gjakut mund të ndihmojë në zvogëlimin e niveleve të PFAS, disa përbërjeve kimike toksike sintetike në trup, sipas një studimi të ri.
Këto kimikate të dëmshme për shëndetin gjenden në objektet e zakonshme shtëpiake si tiganët që nuk ngjiten, materialet dhe bojërat rezistente ndaj njollave ose ujit, si dhe qilima dhe rroba.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se këto kimikate, nuk degradohen kurrë. Ato mund të ndikojnë në mushkëri, duke shkaktuar astmë dhe njihen si potencialisht kancerogjene.
Një studim i ri mbi rreth 300 zjarrfikës australianë ka treguar se dhurimet e rregullta të gjakut dhe plazmës, mund të ndihmojnë në pastrimin e këtyre kimikateve të dëmshme nga trupi. Në hulumtimin e botuar në revistën “JAMA Network Open”, shkencëtarët vlerësuan se zjarrfikësit kishin nivele të larta të perfluoroktan sulfonatit.
Secili pjesëmarrës kishte nivele serike të PFOS prej 5 nanogram për mililitër (ng/mL) dhe nuk kishte dhuruar gjak në tre muajt para studimit.
Studiuesit nga Universiteti i Australisë, analizuan nivelet e PFAS të pjesëmarrësve në katër intervale: para provës, pastaj në fillim të provës, pas 12 muajsh nga ndjekja e planit të tyre të trajtimit dhe përsëri tre muaj më vonë.
“Dhurimi i plazmës ishte më efektivi, duke rezultuar në një rënie prej afërsisht 30 për qind të përqendrimit mesatar të kimikateve gjatë periudhës së provës 12-mujore”, thanë ekspertët.
Studiuesit shpjeguan se ulja e niveleve të kimikateve toksike ishte e mundshme sepse PFAS janë të lidhura me proteinat që gjenden kryesisht në serum.
Dhurimi i plazmës ishte më efektiv se dhurimi i gjakut pasi zjarrfikësit në grupin e parë dhuruan gjak çdo gjashtë javë, ndërsa ata në grupin e fundit dhuruan çdo 12 javë, shpjeguan studiuesit.
Megjithatë, shkencëtarët thanë se nevojiteshin më shumë kërkime për të përcaktuar frekuencën ideale dhe vëllimet e dhurimeve që mund të jenë efektive për uljen e PFAS, “duke balancuar efikasitetin e trajtimit me pengesat për dhurimet e shpeshta”.
Sa për marrësit e këtyre përbërësve të gjakut të dhuruar, ata thonë se asnjë prag PFAS nuk është identifikuar si një rrezik në rritje.
“Studimi ynë nuk e hetoi këtë rrezik, por autoritetet duhet të vazhdojnë të monitorojnë efektet e mundshme shëndetësore të PFAS dhe të marrin në konsideratë çdo implikim të niveleve të larta të PFAS edhe tek ata që marrin gjakun”,tha studiuesit.
The Indpendent/ “Si”