Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Ҫano, iu përgjigj disa prej pyetjeve të publikut rreth shërbimit online që do të ofrohet që nga data 1 maj, përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

Për mënyrën se si do të funksionojë monitorimi i ofrimit të shërbimeve online, Eridana Ҫano bëri me dije se:”Ka një sistem, i cili quhet sistemi i qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik, i cili monitoron në kohë reale punën e të gjitha institucioneve, përkatësisht me aplikimet që vijnë dhe në kohë reale, koordinatorët e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, i shohin këto aplikime, rakordohen me institucionet dhe bëjnë të mundur që të gjitha këto aplikime të realizohen në kohë reale dhe me cilësi.”

Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, është tanimë e sprovuar me procesin e dhënies së shërbimeve, kjo sepse përgjatë katër vite e gjysmë që nga hapja e saj, ka trajtuar mbi 153 mijë problematika qytetarësh dhe u ka dhënë zgjidhje përfundimtare mbi 61% të tyre.

Roli i Agjencisë si pjesë e monitorimit, është në momentin kur aplikimi ka nevojë për dokumente shoqëruese dhe Agjencia sigurohet të ndjekë të gjithë procesin, kur institucioni duhet për llogari të qytetarëve dhe biznesit, të marrë dokumentet në institucionin tjetër.

Pyetjes se a do të jetë Agjencia një lloj garantuesi për cilësinë dhe shpejtësinë e marrjes së shërbimit, Drejtoresha iu përgjigj se:”Ne kemi ligjin e Bashkëqeverisjes, i miratuar në nëntor të vitit 2021, i cili na jep mundësinë që pikërisht për këtë sistem jo vetëm ta monitorojmë dhe kontrollojmë, por kurdo shohim se ka fenomene të pengesave apo harresave, ne kemi mundësinë që t’i parashtrojmë institucionit të titullarëve, masa administrative për punonjësit që nuk e kanë bërë siç duhet detyrën, apo dhe masa financiare.”

Për çështjen me rëndësi se si do të veprohet me ankesat qytetare mbi shërbimet publike, Drejtoresha e Agjencisë, u shpreh se:”Kjo është një pyetje shumë e vlefshme, në çdo moment që qytetari në momentin që merr shërbimin nëpërmjet e-Albania, identifikon që ka problematika me shërbimin ai mund të shkruajë në platformën e Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, të parashtrojë ankesën e tij dhe ne në kohë reale, duke qenë se tani monitorojnë të dyja sistemet, mund të shohim se ku është problematika me aplikimin e tij dhe të koordinojmë me institucionin për zgjidhjen e kësaj çështje.”

Për pyetjen se çfarë do të ndodhë me burimet njerëzore që aktualisht punojnë në sportele fizike, Eridana Ҫano deklaroi se:”Të gjithë punonjësit do të vijojnë të punojnë në pozicionin që kanë pasur para 1 majit, kjo për institucionet që mbyllin totalisht sportelet. Punonjësit tanimë nuk janë më në sportel fizik, po kalojnë në sportel online, pra ata do të punojnë pas kompjuterit dhe do të ndihmojnë për zhvillimin e aplikimit për shërbimet që ofron institucioni.”

Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, theksoi faktin se në rastin e ADISA-ës, të gjithë punonjësit nga momenti i mbylljes së sporteleve fizike, janë në bashkëpunim të ngushtë me stafin e Agjencisë, sepse së bashku do të monitorojnë sistemin e rëndësishëm të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik, për të siguruar që çdo aplikim të marrë përgjigje në kohë.

https://kryeministria.al/newsroom/drejtoresha-e-pergjithshme-e-agjencise-per-dialog-dhe-bashkeqeverisje-i-pergjigjet-pyetjeve-mbi-menyren-si-do-te-monitorohet-ofrimi-i-sherbimeve-pa-sportele-video/