Estonia dhe Letonia kanë urdhëruar mbylljen e dy konsullatave ruse pas mizorive të kryera nga ushtria ruse ndaj civilëve në qytetin ukrainas të Bucha.
Qeveria në Talin urdhëroi mbylljen e misioneve ruse në qytetet Narva dhe Tartu, ndërsa konsullatat ruse në qytetet letoneze Daugavpils dhe Liepaja u urdhëruan të mbylleshin nga qeveria në Rigë.
Urdhërat nënkuptojnë se shumë diplomatë rusë tani do të duhet të largohen nga vendet baltike. Estonia shpalli 14 diplomatë të padëshiruar, ndërsa Letonia dëboi 13, në të dyja rastet afati kohor për t’u larguar është deri më 30 prill.
Shteti i tretë baltik, Lituania, urdhëroi dje mbylljen e konsullatës ruse në qytetin Klaipeda. Qeveria në Vilnius dëboi gjithashtu ambasadorin rus. Të tre vendet baltike janë shtëpia e pakicave më të mëdha ruse.