Ditën e sotme do të hapet korridori humanitar nga Mariupoli, sipas një zyrtari ukrainas, pavarësisht vonesave dhe vështirësive për evakuimin e civilëve, shkruan CNN.

“Do të hapet rruga për evakuimin e civilëve me mjete private. Pesëmbëdhjetë autobusë evakuimi janë nisur tashmë nga Zaporizhzhia për në Mariupol,” tha Iryna Vereshchuk, zëvendëskryeministrja ukrainase.

Të dielën, shtatë autobusë të shoqëruar nga një delegacion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq arritën në Manhush, tha Vereshchuk.

“Ne do të vazhdojmë evakuimin e civilëve nga Severodonetsk, Popasna, Lysychansk, Rubizhne dhe fshati Nyzhnie i rajonit të Luhansk,” tha Vereshchuk, duke iu referuar komuniteteve në lindje të Ukrainës që janë përballur me luftime intensive dhe janë ende nën bombardimin e vazhdueshëm të forcave ruse.