*Fjalimi i plotë i kryesocialistit, njëherazi kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS-së
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste:
I nderuar Kongres i Partisë Socialiste!
Shumë të dashur socialistë dhe socialiste kudo jeni dhe jeni duke na ndjekur,
I dashur Gramoz!
Shokë dhe shoqe, delegatë,
Askush nuk e kishte menduar që ky Kongres i caktuar prej kohësh si një stacion mes përfundimit të Këshillimit të parë Kombëtar dhe fillim zbatimit të nismave të mbështetura nga qytetarët e përfshirë në Këshillimin Kombëtar, do të zhvillohej nën peshën e rëndë të një tjetër kohe të jashtëzakonshme.
Si të mos mjaftonte një tërmet, i cili tronditi fort mbarë shoqërinë tonë, duke vrarë, plagosur dhe nxjerrë për pak sekonda në rrugë të madhe mbi 15 mijë familje dhe një pandemi, e cila e goditi me forcë mbarë botën, duke vrarë, plagosur dhe tronditur themelet e ekonomisë sonë, plas tani edhe një luftë mu në Europë. Një luftë krejt e paimagjinueshme vetëm deri disa javë më parë.
Kjo fatkeqësi, e treta radhazi në tre vjet vret, plagos dhe përzë nga vendi i tyre miliona njerëz, por shtrembëron dhe këput hallka të zinxhirëve ekonomik të furnizimit të mbarë botës me energji, me naftë, me gaz, me grurë, me misër, me vaj, me hekur e me radhë, duke goditur çmimet e produkteve bazë për ushqimin e njerëzve dhe për zhvillimin e vendeve. Goditja mbi çmimet prek drejtpërdrejtë edhe dy hallka të zinxhirit të jetës sonë shoqërore dhe ekonomike.
Nga njëra anë, cënon tamam ata që kanë të ardhura më të ulëta, pensionistë, invalidë, ata që kanë nevojë për transportin publik, ata që jetojnë duke punuar tokën.
Nga ana tjetër, kërcënon investimet publike dhe private, të cilat janë motorë të gjenerimit të të ardhurave për dhjetëra e mijëra njerëz të punësuar, por edhe për mbarë shoqërinë.
Për të parët, qeveria reagoi menjëherë!
Paketa e Rezistencës Sociale kompenson pikërisht rritjen e befasishme të çmimeve të produkteve bazë për mbi gjysmë milion qytetarë shqiptarë, si dhe për naftën, për transportin publik dhe për punën në fermë.
Ndërkohë, qysh prej muajsh përpara fillimit të luftës, kjo qeveri ngriti një mburojë financiare për të gjitha familjet shqiptare pa përjashtim dhe për të gjitha bizneset e vogla, e cila neutralizon goditjen marramendëse të rritjes së çmimit mbi faturat e energjisë elektrike.
Sot që flasim, qeveria vazhdon paguan diferencën mes faturës që shkon në 726 mijë familje konsumatorë dhe në 95 mijë biznese të vogla dhe çmimit real të energjisë.
Natyrisht, kjo kërkon shumë para, të cilat sigurisht hiqen nga diku tjetër. Në ndërkohë që ne nuk e dimë, sepse askush nuk e di edhe sa kohë akoma do duhet të përballemi me këtë çmenduri në çmimin e energjisë elektrike. Ndaj edhe së paku, jo se do të na zgjidhë problemin, por në funksion të asaj që kemi më shumë nevojë se asnjëherë sot, sensit të shpërndarjes së barrës dhe marrjes përsipër të peshave nga kjo peshë e përbashkët sipas mundësive, ne së shpejti, do të vendosim një çmim tjetër për të gjithë ata që konsumojnë energji elektrike shumë më tepër se sa masa e gjerë e popullit sepse janë më të pasur.
Nuk ka asgjë më normale dhe më të natyrshme se sa ne të shkojmë kundër rrymës të vetë sistemit për të mos lejuar që pensionistët tanë të kenë një dhimbje koke të shtuar për shkak të faturës së energjisë, por në të njëjtën kohë, 5% e konsumatorëve që konsumojnë 25% të energjisë nuk mund dhe nuk do të vazhdojnë t’i mbajmë me të njëjtën përkujdesje siç bëjmë për pensionistët, siç bëjmë për familjet e mësuesve, siç bëjnë për familje infermierësh, siç bëjmë për familjet e punonjësve të zakonshëm, në shtet apo në privat, siç bëjmë për familjet fermerë. Pra, siç bëjmë për numrin më të madh të familjeve, për 95% të konsumatorëve, që do të thotë se ai 5% do duhet të marrë pjesë, me para, në këtë përpjekje të përbashkët sepse kjo është një situatë e jashtëzakonshme, ku përpjekja e jashtëzakonshme, nuk u kërkohet atyre që kanë më pak, por u kërkohet atyre që kanë më shumë.
Nga ana tjetër, kur kujtoj se më parë nuk kompensoheshin, me vite, as 400 milionë lekë dëme për një përmbytje në Nënshkodër apo u lanë pa paguar 45 milionë dollarë që u takonin invalidëve, paraplegjikëve, tetraplegjikëve, të cilët u fshinë fare, nuk ekzistonin, ose u harruan fare të paguheshin bonuset 5 mijë lekëshe të bebeve të porsalindura, ndërkohë që ne sot paguajmë 400 mijë lekë beben e parë, 800 mijë lekë beben e dytë dhe 1 milionë e 200 mijë beben e tretë, them se ndryshimi që ne kemi sjellë, pikërisht në aspektin e përkujdesjes sociale, është edhe më i thellë se dallimi i ditës më me dritë, me natën më të errët.
Parafytyrojeni, mbyllini sytë dhe parafytyrojeni vetëm për një sekondë, si do kishin mbetur të braktisur rrugëve tërë ata që për pak sekonda dolën në rrugë sepse humbi shtëpia nga tërmeti. Merreni me mend se çfarë forme do kishin edhe ato pak shtëpi, ato pak shkolla të rindërtuara, sikur ajo fatkeqësi e madhe, mos o Zot t’i kishte gjetur njerëzit atëherë, disa vjet më parë, kur edhe kreditë për shtëpi sociale i merrnin zyrtarët e lartë të partisë në pushtet!
Merreni me mend vetë se çfarë qameti do të kishte qenë pandemia në Shqipëri sikur ai armiku i padukshëm të na kishte ardhur për vizitë në spitalet e deri para disa viteve, me shërbimin shëndetësor të deri para disa viteve, ku njerëzit vareshin nëpër kangjellat e “Nënë Terezës” duke klithur, se spitali nuk kishte ilaçe dhe duke tundur recetat që mjekët u jepnin për të shkuar për t’i blerë ilaçet nëpër farmacitë lart e poshtë apo shkonin me çarçafë e batanije në krahë për të shtruar njerëzit e tyre në spital.
Parafytyrojeni, ose më saktë në këtë rast nuk duhet parafytyruar, por thjesht kujtuar që shëndetësia për vite e vite ishte sektori që u jepej nga partia e madhe kaçakëve të koalicionit sepse askush nuk donte t’ia dinte për shëndetësinë. Ishte një kockë atje për tua hedhur bandave politike dhe simboli i këtij ndryshimi për të mos thënë fjalë të gjata, ka dy fjalë: Nard Ndoka ministër i Shëndetësisë!
Merreni me mend vetë takimin në zyrën e ministrit, mes COVID-it dhe Nard Ndokës.
Që të mos ketë asnjë keqkuptim, këto thirrje në kujtesë vlejnë në fakt, jo për të treguar se sa shumë ndryshon nga sot, dje qeverisja e Shqipërisë, se kjo për hir të vërtetës, nuk është ndonjë meritë e madhe, madje edhe pak zor të vjen të krahasohesh me, që të mos i marr tani me radhë, por le të themi me një llum paaftësie në pushtet.
Këto thirrje në kujtesë vlejnë për të nënvijëzuar dy tipare shumë të rëndësishme të qeverisjes sonë.
E para, shpirtin e përkujdesjes për njerëzit më në nevojë duke mos lënë askënd vetëm në ditët më të vështira.
E dyta, aftësinë e konfirmuar në dy luftëra rresht, me tërmetin dhe pandeminë, për t’i kthyer krizat në gjeneratorë fuqish të reja dhe për të dalë më të fortë nga krizat se sa krizat na gjejnë kur vijnë. Tërmeti dhe pandemia sprovuan karakterin dhe aftësinë tonë. Ne ja dolëm dhe me njërën dhe me tjetrën!
Shtëpitë e reja, lagjet e reja, kopshtet e reja, çerdhet e reja, spitali i ri bashkiak në Kurbin, qendrat e reja shëndetësore po i shtohen njëra pas tjetrës një mozaiku shembullor të një rilindjeje të vërtetë pas një rrënimi katastrofik për mijëra e mijëra familjeje. Kriza e tmerrshme e humbjes së gjithçkaje apo shumëçkaje apo e dëmtimit të diçkaje që sidoqoftë asnjëherë nuk është e vogël në shtëpinë e një familje me të ardhura të ulëta, të gjitha këto drejtpërdrejtë të lidhura me buxhetin e 50 mijë familjeve pak a shumë, u kthye në një bekim për ta. Përtej atyre te shkretëve që humbën jetën dhe që ne nuk mund t’i kthejmë dot në jetë, për të gjithë të tjerët ka nisur dhe po nis pas asaj katastrofe një jetë e re, shumë më e mirë sesa jeta që kishin përpara se tërmeti t’i godiste!
E kthyem krizën në një mundësi të re, pastaj në një rrugë të re dhe tani hap pas hapi në një realitet të ri dhe jo vetëm për ato familje, por dhe për gjithë pëlhurën urbane dhe sociale të gjithë zonës së prekur nga tërmeti nga Rrësheni deri poshtë në Kavajë.
Unë jam krenar sot për historinë që kjo parti, Partia Socialiste e Shqipërisë si forcë qeverisëse, ka shkruar përgjithmonë me ringritjen e fuqishme nga gërmadhat e tërmetit dhe mbi të gjitha jam shumë krenar si socialist për faqen më të bukur të kësaj historie, shtëpitë falas!
Falas për të gjitha familjet e prekura, pa asnjë përjashtim! Diçka që vende të tjera më të pasura se ne nuk e kanë bërë, por ne e bëjmë jo se jemi më të mirë apo se jemi më të zotë se ata, por e bëjmë pikërisht sepse nuk jemi aq të pasur dhe prandaj nuk mund të kërkojmë nga më të varfrit, që janë shumica dërrmuese e të prekurve nga tërmeti, interesa kredish sado të buta. Ja pse gjithçka e pagoi dhe do ta paguaj deri në shtëpinë e fundit qeveria nga buxheti i saj, pa harruar ndihmën shumë bujare të dy njerëzve. Të Presidentit të Republikës së Turqisë dhe të Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara për 550 apartamentet në Kurbin dhe 2000 apartamentet që kanë filluar të ndërtohen në Spitallë. Gjithçka tjetër, kudo tjetër është buxheti i Republikës së Shqipërisë!
Disa thonë dhe i keni dëgjuar dhe ju, “detyrën ke bërë, me taksat tona e ke bërë prandaj jo krenar mos ji por as mos fol fare”. Të gjitha qeveritë dhe të tërë udhëheqësit qysh kur është krijuar qeveria e parë në historinë e njerëzimit, për të bërë detyrën zgjidhen dhe për të administruar në funksion të bashkësisë që drejtojnë, taksat e qytetarëve.
Për të bërë detyrën ishte zgjedhur edhe kush e dogji Shqipërinë në zjarrin e piramidave, edhe kush i hodhi në erë njerëzit pak kilometra nga sheshi kryesor i Tiranës, edhe kush i vrau protestuesit e pafajshëm në bulevard. Është një tjetër histori në këtë mes, që drejtësia e re ende po vonon apo po nguron, nuk e di akoma këtë, që të hyjë në kraterin e vullkanit të padrejtësive 30 vjeçare, ndërkohë që dënon një zyrtare të lartë për një arkë peshk në këmbim të një punësimi të pakryer, por për këtë mbase do fals pak më tej. Ndërsa dallimin mes qeverive e bëjnë pikërisht vendimet që ato marrin dhe punët që ato bëjnë, natyrisht me taksat që mbledhin.
Kemi hyrë në këtë mandat të tertë më të fortë sepse 50 mijë familje shqiptare që ishim shumica më të varfër janë sot më të fortë, por dhe sepse Shqipëria sot është shumë më e aftë dhe më e gatshme në përkujdesjen e shëndetit e të gjithëve, për të mos vazhduar më tej me shumë sepse.
Kemi hyrë në këtë mandat me një eksperiencë shumë të madhe dhe fare të re falë procesit të rindërtimit, prandaj ky 4 vjeçar është dhe koha e duhur për të hedhur themelet e një procesi të ri përkujdesjeje shoqërore, duke e kthyer tani modelin e rindërtimit në model të ndërtimit në masë të shtëpive sociale, të shtëpive për ata që nuk kanë mundësi, qofshin më të varfër, qofshin dhe të rinj që martohen dhe me të drejtë duan të bëjnë atë që kam bërë unë që kur isha i vogël, se ju e dini unë jam martuar i vogël, nuk duan të jetojnë me vjehrrin dhe me vjehrrën, dua një shtëpi për vete.
Urgjenca Kombëtare me flotën e saj të kompletuar sipas standardeve më të larta bashkëkohore, me sistemin e saj të digjitalizuar, me qendrën e saj teknologjike të administrimit dhe të regjistrimit të 625 mijë thirrjeve në vit, ku çdokush mund të verifikojë komunikimin mes atij që thërret dhe urgjencës që përgjigjet dhe askush nuk mund të hedhë më akuza në ajër, si edhe organizmit dhe mbikëqyrjes ne kohë reale të 140 mijë misioneve urgjente vjetore në banesë, përbën sot vetëm një prej shembujve më kuptimplotë të një transformimi në shëndetësi që vazhdon çdo ditë, të cilin pandemia e përshpejtoi falë kundërpërgjigjes sonë adekuate ndaj një agresioni te befasishëm.
Janë të panumërt shembujt e transformimit të sistemit tonë të kujdesit shëndetësor, të panumërt, por ky mandat është vendimtar për diçka themelore, për një ndryshim që është pjesa e rëndësishme e munguar e së tërës dhe që i pengon shumë njerëz ta pranojnë të gjithë pjesën tjetër.
Jetësimi i autonomisë spitalore i cili është kushti i domosdoshëm për të zhbërë korrupsionin ende problematik të bluzave të bardha dhe duke patur gjithë këtë infrastrukturë të re që do të vazhdojë të ngrihet e të ngrihet dhe një sistem shërbimi autonom që do të thotë duke e kthyer kërkesën për rryshfet në një fenomen komplet margjinal, ne do të themi të gjithë me krenari që kemi bërë një detyrë historike dhe kemi shkruar një tjetër histori për të cilën do të jemi krenar gjthë jetën, për shëndetin e shqiptarëve.
Sa mirë do ishte, miqtë e mi, sikur lufta në Ukrainë mos na kishtë hyrë si një pykë mes nesh dhe planeve dhe projekteve të mandatit të tretë, mirëpo ja që nuk thonë kot, jeta është ajo që ndodh, ndërkohë që jemi duke u marrë me plane të tjera.
Ajo lufta atje ka ardhur si një sprovë e re e forcës sonë të karakterit dhe aftësisë sonë për të dalë më të fortë. As e kemi nisur ne, as nuk e ndalojmë dot ne. Në vetëm duhet ta përballojmë. duke përballuar pasojat e saj, duke qenë gati për më të keqen dhe duke garantuar 3 gjëra: siguri për të gjithë, përkujdesje ndaj të gjithëve dhe do t’a shpjegoj c’do të thotë kjo dhe zhvillim, për të gjithë shqiptarët pa dalllim, të bashkuar dhe jo të ndarë.
Garancia jonë për sigurinë e tyre dhe përkujdesja jonë për ta duhet të jetë tanimë përgjigjja jonë e fortë, e gjerë, e qëndrueshme që duhet të shkojë edhe përtej kësaj përballjeje me pasojat e luftës në jetën tonë të përditshme.
Lufta do të mbarojë ndërkohë që kjo garanci duhet të qëndrojë aty, si një kulturë e re qeverisjese, të cilën ne kemi që në krye të herës që përpiqemi ta ndërtojmë, por e cila është shumë e çalë për hir të së vërtetës. Ky është momenti për ta ngritur në këmbë këtë kulturë të re qeverisjeje. Ne duhet të dalim edhe më të fortë nga kjo krizë në të gjitha dimensionet e sigurisë edhe të përkujdesjes, pastaj edhe të zhvillimit paralelisht sepse duhet të garantojmë vijimësinë e zhvillimit për të forcuar sigurinë dhe përkujdesjen për të gjithë njerëzit e këtij vendi.
Dhe garanci për sigurinë në të gjithë këto kushte të reja do të thotë jo vetëm fuqizim i kapaciteteve i mbrojtjes dhe diplomacisë në aspektin ushtarak dhe në aspektin e marëdhënieve me jashtë. Kjo është një kohë e jashtëzakonshme, e cila kërkon, jo vetëm fuqizimin e sistemit të sigurisë kombëbtare po e po, por edhe një fuqizim të konsierueshëm të ndjenjës së sigurisë individuale,familjare, komunitare.
Siguria dhe përkujdesja duhet të bëhen kryefjala dhe kallëzuesi i cdo politike që ne do të bëjmë. Ato duhet të jenë fryma dhe gërma kryesore e marëdhënies sonë me njerëzit e këtij vendi. Si pjesë e së njëjtës bashkësi shqiptare dhe jo t’i ndajmë majtas- djathtas si banorë të kampeve të ndryshme politike.
Krahasuar me vendet e rajonit, kjo shumicë qeverisëse në dy mandate ka rishpërndarë për përkujdesjen sociale dhe mbështetjen e familjeve me të ardhura mesatare apo të bizneseve të vogla, shumën më të madhe të të ardhurave të arkës së shtetit në raport me tërësinë e këtyre të ardhurave.
Prej disa vitesh tanimë Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon mbi të ardhurat e individëve dhe te bizneseve të vogla, por as taksat që tani janë komplet simbolike mbi pagat e individëve, as taksat apo TVSH-ja zero mbi biznesin e vogël, nuk mjaftojnë më sepse edhe kjo është një kohë e jashtëzakonshme dhe kjo kohë e jashtëzakonshme nuk kërkon vetëm para. Kjo kohë e jashtëzakonshme kërkon më shumë as asnjëherë tjetër lidership, siguri dhe përkujdesje sepse ka rrritur ndjenjën e pasigurisë si rezultat I luftës, si rezultat i çmimeve, si rezultat i 1001 gjërave, si rezultat i faktit që në asnjë vend askush nuk është më i qetë, askush nuk e shikon më të ardhmen i qetë.
Kjo shumicë qeverisëse, përfaqësuesit e kësaj partie që nuk duhet ta harroni asnjëherë, është partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve, që nga anëtarët e qeverisë, deri tek kryetarët e bashkive, të cilët duhet të zgjidhin probleme dhe të adresojnë halle e pastaj tek deputetët që duhet të qajnë halle. Hallet e njerëzve dhe jo hallet e tyre dhe duhet të ngrenë probleme, duhet t’I bëjnë mendjes një thirrje.
Të gjithë ça jeni këtu, bashkë me mua, një thirrje të mendjes. Një thirrje të jashtëzakonshme mendjes për këtë kohë të jashtëzakonshme. Ky është momenti për t’ia vënë shumë fort gishtin kokës të gjithë ne sepse është detyrimi ynë dhe është kaq shumë detyrimi ynë, sepse përvecc të tjerave s’ka askush tjetër në këtë vend, përveç nesh këtu në këtë vend që mund ta mbajë këtë detyrim. Që të ushqejmë me fjalët, me veprimet, me vendimet tona ndjenjën e sigurisë tek njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Armët e ushtrisë dhe armët e diplomacisë nuk i mbrojnë dot qytetarët e Shqipërisë nga rritja e çmimeve, nuk i mbrojnë dot qytetarët e Shqipërisë nga brutaliteti i zyrtarëve, nuk i mbrojnë dot qytetarët e Shqipërisë nga zvarritjet e shërbimeve. Dhe lufta mbivendoset si pika që përmbys komplet kupën mbi problemet dhe sekëllditë që njerëzit i kanë përditë. Ne s’kemi ç’ti bëjmë luftës, ne çmimet nuk i vendosim dot me dekrete, por ne kemi shumë të tjera për të bërë që një pasiguri e tillë të zbutet dhe gjëja e parë që kemi bërë është që ta harrojmë që kemi fituar një mandate e dy mandate, e tre mandate, ta harrojmë. Dhe të mendojmë se mandatet tona nuk i duhen dreqit në rast se ne mendojmë se nuk jemi në lartësinë e kësaj kohe të jashtëzakonshme, në rast se në ccdo derë, njerëzit e këtij vendi, nuk ka rëndësi cfarë janë, socialistë e demokratë nuk gjejnë ushqim për sigurinë e tyre.
Qoftë edhe një fjalë të mirë, për të mos thënë shumë më tepër. Sa më shumë të shtyjmë përpara në drejtimin e duhur në këtë fazë, aq më të sigurtë do të ndihen qytetarët. Duke nisur nga më e thjeshta, shërbimet e dokumentave shtetërore, të cilat këtë muaj, brenda prillit do të kalojnë të gjitha online, duke e shkëputur përfundimisht zyrtarin dhe zyrtarucin nga qytetari. Duke i dhënë përfundimisht fund radhave e pritjeve e gjitha andrallave të tjera dhe duke krijuar një platform, ku njësoj si tek urgjenca kombëtare, çdo marrëdhënie lexohet, çdo ndërveprim, ndiqet dhe çdo vonesë, zbulohet dhe qytetari nuk ka nevojë fare për të dalë nga shtëpia për të marrë shërbimin me dokumenta.
Shërbim më të shpejtë, shërbim më të sigurtë, shërbim pa korrupsion, ama me një kusht, ka dhe kjo kushtin e vet që të gjithë personat përgjegjës, duke filluar nga ministrat, duke vazhduar me deputetët, kryetarët e bashkive, pa u ndarë se çfarë më takon mua, çfarë të takon ty, por të gjithë së bashku si lidership i kësaj familje dhe pastaj patjetër në të gjithë personat përgjegjës, t’ju qëndrojnë mbi kokë gjatë gjithë kohës zyrave për të parë funksionimin e këtij ndërveprimi, deri kur kjo të kthehet në diçka krejt të zakonshme.
Jo pa qëllim e mora këtë shembull, se duhet t’ju them që, dhe kur, shërbimet me dokumenta duhen parë si çështje e sigurisë me një përkushtim maksimal, merrni me mend shërbimet e sigurisë publike, merrni me mend shërbimet e sigurisë ushqimore, merrni me mend shërbimet e sigurisë mjedisore dhe kështu me radhë.
Një mjedis i pistë, rrit pasigurinë në vendin që ti jeton. Një mjedis i pastër, rrit sigurinë. Në dukje nuk ndryshon asgjë sepse fizikisht ti nuk je i kërcënuar edhe kur kalon në një rrugë pis edhe kur kalon në një rrugë të pastër, por brenda teje ndryshon shumë. E tërë marrëdhënia e shtetit me qytetarët duhet parë, duhet trajtuar dhe duhet mishëruar prej nesh si një marrëdhënie sigurie dhe duhet të ndihet i turpëruar çdokush që, duke trajtuar në mënyrë të padinjitetshme një qytetar rrit pasigurinë e tij. E nxjerr atë nga dera e shtetit me një ndjenjë pasigurie te vetja, me një ndjenjë pasigurie te vendi i vet. Prandaj, kjo kohë e mallkuar që është kalimtare dhe sjell këtë nevojë emergjente për siguri, tamam si një jehonë e një alarmi lufte, që shtrihet nga shpirti i trazuar i njerëzve, te çdo urë që i lidh ata me shtetin, duhet ta ngrejë përgjithmonë, jo vetëm deri kur të mbarojë ky mallkim, në një tjetër nivel sigurie, marrëdhënien e shtetit me qytetarët.
Edhe përkujdesja, koncepti i përkujdesjes duhet parë i lidhur pikërisht me konceptin e zgjeruar të sigurisë, jo vetëm në drejtimin e mbështetjes ekonomike, ndihmave ekonomike, mbështetjes sociale, siç jemi mësuar ta kuptojmë kur dëgjojmë fjalën përkujdesje dhe gjithmonë mendojmë për ata, që janë më të varfër, jo. Duhet zhvilluar më tej. Për ata po e po, por duhet zhvilluar më tej, duke filluar nga aty, ku mbase askujt nuk ja ka prerë mendja më parë se ka të bëjë me përkujdesjen, nga hapësirat e pjesëmarrjes së njerzve të zakonshëm në vendimarrjet tona, përsëri duke u thënë atyre, jo me fjalë, me vepra, i harrojnë parcelat partiake.
Të bashkohen, jo sipas parcelave, por të bashkohen në truallin e përbashkët të politikave publike, të cilat impaktojnë njëlloj edhe një familje të majtë edhe një familje të djathë, edhe një familje që voton për qeverinë, edhe një familje që mezi pret që qeveria të largohet, por për sa kohë qeveria është këtu, atëherë njësoj impaktohen që të gjithë.
Këshillimi Kombëtar është është një hap i madh në këtë drejtim. Pjesëmarrja e mbi gjysmë millioni qytetarëve, qysh në provën e parë përtej gjithë pritshmërive. Ne mendonim që nëse do të kishim 300 mijë në këtë provë të parë, do të ishte një objektiv i realizuar në mënyrë të arsyeshme, është në fakt një tregues shumë kuptimplotë, më besoni është nevojë për siguri, është nevojë për t’u ndier pjesë e diçkaje më të madhe, jo në kuptimin ideal të fjalës, por në kuptimin e një rrethi më të madh njerzish, është nevojë për t’u mbrojtur, është nevojë për të kuptuar, jo me fjalë, jo me vetëdijen e trashëguar nga lindja, ne jemi këtu, ne jetojmë këtu, ne banojmë këtu, kjo është Shqipëria, ky është vendi ynë, por përmes faktit që ky vendi ynë, kjo shtëpia jonë, administrohen të gjithë bashkë. Që shtëpia jonë, nuk mund të jetë një shtëpi me një korridor që është si gropë dhe me dy dhoma, ku njëra pjesë e familjes shan gjithë ditën pjesën tjetër dhe përplasin dyert njëri me tjetrin dhe bëjnë tërheqje litari se kush e fut tjetrin në gropë.
Njerzit duan përfshirje në diskutime reale, në tema reale të ekonomisë, familjes, të atyre që janë më në nevojë, të drejtësisë, por edhe politika e jashtme e vendit sepse është marrëdhënia me fqinjët e shtëpisë tonë. Çdo bëjmë me një fqinj apo me një tjetër, për arsye të ndryshme, ne e diskutojmë në një familje dhe sa më shumë të përkujdesemi në këtë drejtim për të dëgjuar njerëzit tanë, me rrespektin që ju detyrohemi atyre si shqiptarë, si qytetarë, si bashkëatdhetarë dhe si bashkëpronarë të kësaj shtëpie që quhet Shqipëri, aq më shumë do të ushqehet sensi i tyre i përkatësisë në një familje të madhe kombëtare përtej gardheve partiake dhe sensi i tyre i sigurisë, sensi i tyre i mbrojtjes, në kushtet kur bota po bëhet gjithmonë e më e paparashikueshme, në kushtet kur po ndodhin gjëra që as nuk i kishim imagjinuar, si nëpër filma dhe një dreq e di se çfarë do të ndodhi se thoshim se mbas pandemisë nuk ka çfarë ndodh tjetër.
E kishim marrë 100% të mirëqenë që, lufta ishte diçka që maksimumi do ta shikonim në televizor në pjesë të tjera të botës, por s’kishte lidhje me Europën. Në fakt jo. U bënë 60 e më shumë vite, – nëse nuk llogarisim ndonjë fragment, ndonjë episod në Ballkan, – pa luftë në Europë, por nuk janë rregulli, janë një përjashtim i madh. Ndërkohë që, me qindra e me mijëra vjet deri para këtyre viteve, Europa ka bërë luftë rregullisht, europianët kanë bërë luftë rregullisht.
Tani jemi në këto kushte që se dimë fare çfarë do të ndodhi, por ne na duhet të fokusohemi këtu. Arma jonë më e madhe nuk është ushtria, nuk është diplomacia, nuk është buxheti i shtetit.
Arma jonë më e madhe është shqiptaria. Arma jonë më e madhe është lidhja e pashkëputshme e përkatësisë ndaj kësaj toke e të gjithëve ne, pavarësisht se flasim gegërisht apo toskërisht, pavarësisht se jemi nga veriu apo nga jugu, kjo është arma jonë më e fortë. Këtë armë ne nuk mund ta lëmë të rrisi një relikë për fjalime, ndërkohë që rregulli është që bëhemi copë mes njëri-tjetrit, aq më tepër sot.
Sa më shumë ta spostojmë rrezen e veprimtarisë tonë matanë hendeqeve politike, aq më shumë do të forcohet ndjenja e sigurisë te shqiptaria, e sigurisë te familja e përbashkët shqiptare. Vjen dhe një ditë kur ti nuk e pret, siç ndodhin shumë gjëra të papritura. Të citoj Ditmirin për shembull, Ditmiri tha me të drejtë: Nuk është e thënë që të jemi ndarë dhe të mos jemi bashkë njëkohësisht. Gjërat që ne na ndajnë, janë shumë më të vogla sesa çfarë ne sot na bashkon me detyrim përcaktim, një zinxhir fatkeqësisht të mëdha dhe ndërkohë kemi mësuar një gjë të madhe: që ne ja dalim!
Kujt ja priste mendja që ne do ja dilnim me gjithë ato panorama apokalipsi mbas tërmetit?! Akujt! Ja dolëm! Kujt ja priste mendja që pandemia nuk do bënte këtu katrahura që do bëri në vendet shumë më të pasura, ja dolëm! Dhe sot ne duhet ta masim forcën tonë jo me kundërshtarin inekzistent politik, inekzistent politik. Nuk kam ndërment të vajtoj inekzistencën e kundërshtarit se bënë vajtimin gjithë brezi i ri para meje, unë s’kam asnjë keqardhje të them të drejtën. Po ja u them midis nesh se jemi këtu me njëri-tjetrin, nuk na del fjala. Zero! Zero keqardhje! Ajo forcë duhet të kishte shkuar në djall shumë kohë më parë që sot Shqipëria të kishte një opozitë serioze dhe për sa kohë ajo forcë do të vazhdojë të jetë aty, Shqipëria nuk ka për ta pasur një opozitë serioze. Prandaj ne duhet të jemi shumë të shqetësuar, jo sepse na mungon opozita andej, por sepse nuk duhet të biem në kurthin e atij që nuk është i motivuar të luftojë.
Prandaj forcën tonë duhet ta masim me fuqinë që kemi për t’i bashkuar qytetarët shqiptarë. Është shumë më e vështirë sesa të kesh opozitë, atë opozitë që të paktën kemi pasur. Përmes politikës që është politika e jetës së tyre reale. Probleme konkrete, aspirata legjitime për vendin, për familjen, për fëmijët e tyre.
Vetësiguria jonë duhet të shprehë si forcë për të dëgjuar me mendje të hapur të gjitha opinionet e shqiptarëve, jo për të luftuar në një hapësirë të mbyllur politikës së mbyllur politikës së ditës me të vdekurit që gjallojnë, duke kërkuar sherr e shamata, apo me zëdhënësat e tyre nëpër banaqet dhe nëpër kolltuqet e klubeve mediatike.
Forca jonë sot duhet të përkthehet në vendime dhe veprime konkrete në respekt të opinionit të njerzve. Jo vetëm sepse mbledhja e opinionit të njerzve na jep më shumë qartësi në vendimarje, por edhe sepse vendimarrjet bashkë me njerzit u japin atyre siguri, ndjesinë e dobishmërisë dhe njëkohësisht e të qenit pjesë e diçkaje që është një familje. Një familje e madhe. Një familje kombëtare, ku familjet politike natyrisht bëjnë pjesën e tyre, bëjnë rolin e tyre por ku kjo familje politike miqtë e mi, nuk është si familjet e tjera politike. Le të thonë çfarë të duan, le ta kthejnë si të duan. Ne nuk jemi si familjet e tjera politike. Partia Socialiste nuk është një parti si tjerat. Partia Socialiste vetëm të këqijat i ka si partitë e tjera, të ngjashme. Partia Socialiste është shqiptari. Partia Socialiste është brumi pa të cilin politika shqiptare nuk prodhon dot asnjë gram bukë.
Përfytyrojeni për një moment, Shqipërinë pa Partinë Demokratike unë e përfytyroj me kënaqësinë më të madhe dhe e shoh që s’ka asnjë problem. Përfytyrojeni për një moment Shqipërinë pa Pastrinë Socialiste. Përfytyrojeni! Edhe Pallatin e Kongreseve do ta gjeni duke pyetur, se do ishte i rrethuar nga një xhungël që s’do ishin më kioska, nuk e di se çfarë do ishin, por edhe shtëpinë do e gjenit me të pyetur. Njerëzit për shembull, duan siguri për paratë që kanë mbledhur nën dyshek gjithë këto vite nga puna në të zezë, jo nga puna e zezë, nga punët e zeza, ne do ua japim këtë siguri.
Paratë e zeza të krimit dhe të korrupsionit janë të pa amnistueshme, nuk diskutohet. Ne nuk mund të bëjmë një amnisti as për kriminelet, trafikantët, as për zyrtarët e djeshëm dhe të sotëm të cilitdo nivel, por paratë e krimit dhe të korrupsionit s’mund të jenë arsye në asnjë mënyrë që paratë e punës në të zezë të kriminalizohen duke i damkosur si të pa amnistueshme.
Ashtu sikundër me shumë respekt të gjithë partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë të drejtat e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme e kanë parë këtë qasje dhe këtë çështje si një çështje që lidhet me te keqen, si sigurisht e shikojnë ata të tjerët çështjen e legalizimin të kanabisit për arsye mjekësore, do u themi një gjë shumë të thjeshtë, shumë sumë të thjeshtë. Këtë gjë e kemi vendosur dhe këtë gjë ne do ta bëjmë sepse kjo është gjëja që u intereson të gjithë shqiptarëve, qindra e mijëra shqiptarëve të cilët kanë nxjerrë lekë nga puna dhe të cilëve ne nuk mund t’ju bëjmë zbor sa herë duan të sjellin qoftë dhe një shumë modeste për të blerë një shtëpi këtu.
Nuk është përkujdesja për njerëzit dhe nuk është siguri që të mos e bësh këtë, aq me tepër sot, në këtë kohë të trazuar ekonomikisht për të tërë botën. Shqipëria nuk e ka bërë kurrë këtë formalizim të parasë qysh ditën kur ka dalë nga shpella e komunizmit dhe me fakte statistikisht ky është vendi me sasinë më të lartë të përdorimit të parasë jashtë sistemit bankar në të gjithë Europen. Kjo nuk është as siguri e mjaftueshme nga qarkullimi i parasë së zezë dhe as jo e jo siguri e dobishme për paranë e punës me djersë dhe koha për ta ndryshuar këtë fakt është tani. Këtë, sot e kanë thënë me forcë një shumicë dërrmuese shqiptarësh të pyetur gjatë Këshillimit Kombëtar.
Këshillimi Kombëtar është politikë bashkimi, jo ndarjeje. Këtë çështje dhe të gjitha çështjet e tjera i kanë të gjithë shqiptarët që kanë kursyer apo që kanë fshehur para për të mos paguar detyrime nga puna. Kjo është politikë me njerëzit, kjo është politikë për njerëzit, politikë familjare, kombëtare, e cila nënave me tre fëmije u jep një mbështetje të veçantë. Ndotësve të mjedisit të përbashkët u jep mësime shumë të merituara. Evazorëve të biznesit të madh apo autorëve të veprave te renda penale, u jep ndëshkime të vonuara. Ashtu sikundër u jep drejtim çështjeve të mbetura pezull në raport me ekonominë apo edhe në marrëdhënie me fqinjët e kësaj familjeje. Kjo është koha që Partia Socialiste të bëhet katalizatore e një bashkimi rreth vlerash që i tejkalojnë llogoret partiake, hendeqet e vjetra, maloret e kota që ia ngre këtij vendi në rrugë çdo ditë politika e konfliktit, e sherrit, e tërbimit.
Kjo është koha që Partia Socialiste të bëhet flamuri i një bashkimi vëllazërimi për sigurinë, përkujdesjen dhe zhvillimin e familjes sonë kombëtare!
Kjo është koha që Partia Socialiste të bëhet hapësira e dëgjimit të ndërsjellë dhe e mbështetjes reciproke mes shqiptareve. Nuk kemi nevojë të presim një fatkeqësi, nuk ka nevojë të presim një termet tjetër, nuk ka nevojë të na vijë një pandemi, nuk ka nevojë të urojmë të vazhdojë lufta për të kuptuar se sa e rëndësishme është të bëhemi bashkë dhe se çfarë bëjmë ne kur bëhemi bashke. Ne këtë do ta bëjmë kulturë. Kulturë ne sjellje, kulturë në vendimmarrje, kulturë në veprim. Kjo i duhet sot më shumë se kurë Shqipërisë, kjo i duhet më shumë sesa çmimet. Më besoni, kjo i duhet më shumë sesa çmimet sepse kjo i zbut edhe çmimet. Kjo i duhet më shumë se sa çdo llogari që lidhet me para.
E kush tjetër mund ta bëjë këtë, nëse jo Partia Socialsite? Kush tjetër mund ta bënte reformën në drejtësi? Jo për të kapur drejtësinë, por për ta çliruar nga kapja e saj qysh prej 500 vjetësh! Nuk është metaforë, as alegori. Më thoni kur ka patur Shqipëria drejtësi në historinë e saj? Kush tjetër mund ta sillte në Shqipëri ditën që drejtësia të çonte prapa hekurave politikanë të lartë të lidhur me pushtetin?
Lejomëni të ndalem pak në këtë pikë, sepse çuditërisht për mua ka plot njerëz sot që përgjatë rrjedhës së ngjarjeve domethënëse të kohëve të fundit në rrugën e drejtësisë, nuk e shikojnë atë që duket e qarte si drita e diellit: vendosmërinë dhe vërtetësinë e Partisë Socialiste në përpjekjen për të hapur një rrugë të re për drejtësinë! Ky është lajmi!
Edhe më thonë, e keni dëgjuar, “a je ti përgjegjës pse e zgjodhe këtë apo pse e zgjodhe atë”? A thua se në udhëtimin e kësaj jete, fajin e ka kush të jep besim dhe jo kush e shkel besimin e marrë.
E kam thënë 1000 herë, përgjegjësia për shkeljen e ligjit është individuale, jo kolektive. Një kryeministër, një kryetar partie, një familje politike nuk mban përgjegjësi pse një pjesëtar i familjes e humbet pinin kur i thonë fjalës dhe del nga rruga e ligjit. Jo!
Ata mbajnë përgjegjësi për se si reagojnë ndaj shkelësit të ligjit, mbajnë përgjegjësi për marrëdhënien kolektive që kanë me ligjin, mbajnë përgjegjësi për rolin që luajnë në ruajtjen dhe forcimin e rendit ligjor, këtë përgjegjësi mban Partia Socialiste.
Ku e mban Partia Socialiste këtë përgjegjësi? Këtu, në këtë vend, ku pak vite më pare, Kryeministri merrte peng prokurorinë dhe me urdhër të kryeministrit, policia nuk ekzekutonte fletë-arrestet e nxjerra me vendim gjykate nga skena e krimit të 4 vrasjeve dhe plagosjes së dhjetëra e dhjetëra njerëzve.
Në këtë vend, para pak vitesh, tatimet drejtoheshin nga shtëpia nga një i dënuar nga gjykata me arrest shtëpie dhe kryeministri thoshte pa pikën e turpit “Do pres vendimin e formës së prerë”.Parafytyrojeni sikur të tilla gjëra t’i bëja unë. Parafytyrojeni vetëm një sekondë se çfarë ndodhte këtu në këtë vend, por kjo nuk është arsye pse të na vijë keq sepse, përkundrazi, fakti se nuk jemi si ata, është medalje nderi për ne, fakti që ne nuk bëjmë si ata është fleta jonë e lavdërimit.
Pikërisht këtu është ndryshimi. Ata janë një parti, ne jemi një frymë. Ne jemi brumi, pa të cilin politika shqiptare nuk gatuan dot asgjë, asnjë gram bukë nuk del. Për këtë arsye, atyre iu falen sepse janë të vegjël, janë mediokër, janë të paaftë dhe në fund të fundit, nuk kanë asgjë në dorë, kurse ne nuk na falet sepse ne jemi të mëdhenj.
Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Përfytyroni që deri dje hetoheshin këtu veprimtaritë e një qeverie në detyrë dhe prokurorët ta kishin bulevard, të ndaloheshin, ministra, të ndaloheshin deputetë, të ndaloheshin kryetarë bashkish dhe policia të shkonte t’i merrte me duar lidhur dhe të mos dëgjohej një fjalë goje kundër organeve të drejtësisë.
Le të çohet, jo këtu se këtu nuk ka, por të çohet kush ka respekt për inteligjencën e tij dhe të njerëzve dhe të thotë që këtë mund ta parafytyronte. Ja pra që po ndodh. Më thotë “Po pse po ha vetëm nga ju, domethënë këtej nga ne, sharra e SPAK-ut”. Këtu nuk di ca të them për sharrën e tyre, por di ca të them për veten tonë, sepse ne as nuk e kemi kapur drejtësinë, as nuk kemi dashur ta kapim drejtësinë dhe gjithashtu sepse unë as nuk kam bërë shaka kur kam thënë që më në fund duam një drejtësi të re në këtë sepse ky vend nuk është i yni, por i fëmijëve tanë dhe as nuk bëj shaka kur ju them juve të gjithëve “Kush shkel në dërrasë të kalbur në këtë familje, të shkojë të marrë avokat. Kjo parti nuk jep shërbime avokatie për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë kryetar bashkie dhe për asnjë zyrtar, anëtar i kësaj familjeje që thirret nga organet e drejtësisë”.
Dëgjoj, se më vijnë edhe pse pak nga zërat e brendshëm këtu, por më vijnë zëra, që thonë “Ky i gjati nuk të mban, ky i gjati lëshon”. E thonë apo jo? E thonë. Ky i gjati nuk i mbron njerëzit e vet. Dëgjoni këtu.Unë nuk lëshoj askënd në këtë familje që bëhet shënjestër për punët e përbashkëta, i vë gjoksin, i vë fytyrën, i vë zërin në dispozicion dhe i dal unë përpara baltës që hidhet drejt kujtdo që është pjesëtar në këtë familje, kur është fjala për punë, të cilat i kërkon detyra e gjithsecilit, por unë, jo vetëm që nuk mbaj dhe nuk mbroj askënd që besimin e marrë nga zgjedhësit, besimin e marrë nga kjo familje, besimin që ka marrë dhe nga unë vetë, e përdorur për t’i ngrënë pas shpine edhe zgjedhësit, edhe familjes sonë politike, edhe mua. Borxhin nuk ia kam askujt kur i merr koka erë, por ia kam kësaj familjeje dhe këtij populli, përveçse atyre që më kanë lënë mua mbiemrin që kam dhe pikërisht se jam i gjatë, si mund t’i mbroj dhe t’i mbaj unë ata që më vënë mua në pozitë përpara ca të vegjëlve me mikrofona e që më kërkojnë llogari, e për çfarë? Për zorrën e atyre që nuk ndalojnë së ngrëni dhe që nuk e kanë marrë vesh akoma që në botën tjetër, dhe bota tjetër e jona është shumë afër, këtu në Sharrë, nuk punojnë kartat e kreditit, as parajsat fiskale nuk figurojnë në llogari. Madje, në Sharrë, më mirë përgatituni të shkoni sicc dilja unë dikur në plazh, se asgjë nuk iu dallon nga ata të tjerët atje. Kështu që, edhe kostumet lëruani djemve, se me burrat e kam. Mua nuk më kanë zgjedhur për të mbajtur nën sqetull këtu dhe për të mbrojtur nga drejtësia, aq më tepër në emër të Partisë Socialiste.
Domethënë, të mbroj unë nga drejtësia në emër të pensionistëve që votojnë Partinë Socialiste dhe që akoma nuk iu është rritur pensioni, ata të cilët duan të jenë edhe deputetë, edhe ministra, por duan edhe të kenë pasuri. Po pse? Çfarë kanë ata më shumë sesa pensionistët, çfarë kanë më shumë se sa mësuesit, çfarë kanë ata më shumë sesa infermierët dhe gjithë ata të tjerët që u pikon djersa deri në fund të kurrizit dhe që mbi të gjitha, megjithëse kanë 1001 arsye që të na kthejnë kurrizin, na mbështesin na japin besim, na falin gabime, na pranojnë kështu siç jemi dhe shpresojnë që ne do bëhemi më të mirë. E si? “S’na mban ai i gjati”! Të gjatin nuk e beson njeri kur thotë që “ma bënë mbrapa krahëve”. Kjo është e vërtetë. Kush e beson? Se dukesh dhe si hajvan 2 metra. Çfarë është ky që i kalojnë këtu? Po mos u çudisni që të vijë dita që të më shikoni mua ndonjë ditë tek dera e SPAK-ut me ndonjë për veshi nga këta që duan t’i mbroj unë.
Unë i zgjedh dhe ministrat, edhe kryebashkiakët, jo në emrin tim, edhe deputetët se nuk po flas për nivele të tjera që i zgjedhim bashkërisht me drejtuesit e qarqeve. I zgjedhim në emrin e Partisë Socialiste. I zgjedhim në emrin e gjithë atyre zgjedhësve e votuesve. Natyrisht që zgjedhjet tona kontestohen hera herës sepse këta të banaqeve e këta të kolltuqeve, këta ngatërrojnë Akademinë e Shkencave me Parlamentin, ndërkohë që në gjithë Parlamentet e botës deputetët janë shprehje e komuniteteve. Në të gjithë Parlamentet e botës nuk flasin të gjithë deputetët, nuk shquhen për oratori, por ka shumë deputetë që flasin atje, në territor, me njerëzit. Ata që flasin nëpër Parlamente, zakonisht nuk shkojnë në spital natën për t’u ndenjur mbi kokë atyre që vijnë nga zona më të largëta e u thonë, “deputet, kam fëmijën sëmurë”. Janë ata që nuk flasin në Parlament ata që shkojnë atje në spital. Prandaj është një gjë e larmishme. Ajo që është arsyeja pse i zgjedhim të tërë nuk është që t’i zgjedhim e t’i mbrojmë ne, por është që ata të na mbrojnë ne, të mbrojë zgjedhësit, të mbrojnë partinë, të më mbrojnë edhe mua e ta mendojnë edhe atë skenën e Guliverit me ata liliputët që e lidhin atje e i thonë “jep llogari”. Të jap llogari unë se duan ti bëjnë filmat me kauboj pasi i kanë parë kur kanë qenë të vegjël.
Tani, unë e di që ka rënë pazari fare në këtë vend kur vjen fjala për të kuptuar një gjë, vlerën e jashtëzakonshme, nderin e jashtëzakonshëm të të qenit përfaqësues i popullit, në parlament, në qeveri, qoftë dhe në këshill bashkiak, por ama kujt ku nder i madh i pakrahasueshëm me asgjë tjetër në shoqëri, i të qenurit një, vetëm 1 nga vetëm 140 të zgjedhurit e 3 milionë njerëzve, i duket më i vogël se sa madhësia e parave të ndyra të korrupsionit. Atëherë i them, e ke vendin atje, jo këtu! E nëse drejtësia në këtë jetë nuk të kap, vendin me siguri e ke në ferr në jetën tjetër, por sidoqoftë, në Partinë Socialiste jo, nuk ka vend deri kur nderi i jashtëzakonshëm i udhëheqjes së këtij vendi e kësaj partie të më takojë mua, për asnjë që ka nevojë për avokat. Kush bëhet për avokat, le të shkojë e të gjejë avokat. Unë e di shumë mirë që të shkosh tani tek ferri në botën tjetër për të paudhët tanë, kur flet për luftën kundër korrupsionit në këtë familje politike, ndërkohë që ata që ferrin e korrupsionit dhe të krimit shtetëror e krijuan këtu, në këtë botën tonë, nuk i përkasin fare kësaj partie, mund të tingëllojë vërtet si ekzagjerim i tepërt madje dhe si dobësi. Shumëkush e merr dhe si dobësi se vërtetë edhe faj nuk kanë jo, ata që thonë “çfarë dreqin bëhet kështu”?
Po kthehem tani tek ato 10 muajt burg për një arkë peshk, për një punësim që edhe nuk u bë. Çfarë dreqin bëhet kështu? Mdërkohë që janë me dhjetëra të vrarët, të vdekurit nga politikanët që kanë emër e që kanë mbiemër, të cilët rrotullohen në varr akoma në kërkim të drejtësisë, pa llogaritur vjedhjet kolosale të cilat deri tani vetëm SPAK-u nuk i di. Burgoset një grua për 10 kile peshk. Çudia e çudive është kjo, që ndërkohë që SPAK-u vihet natyrshëm në lëvizje edhe nga një deklaratë partie, kuptohet, deklaratë e partive të tjera, jo e jona, për këdo zyrtar të lartë sot, akoma nuk është vënë në lëvizje, të paktën unë nuk di të jetë vënë në lëvizje se nuk kam dëgjuar ta thotë, nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht në 30 vjet nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, jo për një njeri, por për gjithë Shqipërinë është ajo deklaratë, sepse ai njeri ka drejtuar Shqipërinë. SPAK-u në këtë rast ka një detyrim që e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht të hyjë në Shtetet e Bashkuara, sepse ajo deklaratë atje nuk mund të rrijë pezull. Ose ka bazë, ose nuk ka bazë! Por këtë nuk mund ta thotë dot politika e brendshme, as këtej, as andej, duhet ta thotë vetëm drejtësia sepse ajo deklaratë e mbetur pa përgjigjen e drejtësisë, për të gjithë ata që kuptojnë dy gram nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe që kuptojnë një gram nga pesha e marrëdhënieve me Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, është gur në qafën e Shqipërisë dhe SPAK-u duhet t’ia heqë Shqipërisë këtë gur nga qafa duke e ndarë, ka bazë apo nuk ka bazë? Që shqiptarët edhe ata krejt pa tru, ta marrin mesazhin që ka bazë apo nuk ka bazë.
Nga ana tjetër, askush nuk duhet as të çuditet e as të humbasë durimin. Kush ka kujtuar se reforma në drejtësi do ta ndryshonte realitetin e drejtësisë si me magji apo kush ka menduar se drejtësia e re do ta niste luftën e saj kundër padrejtësisë duke ua hapur dyert e burgut atyre që i madh dhe i vogël, shqiptar dhe i huaj u di emrat, u di dhe bëmat, thjesht është ngutur në optimizëm. Të ndërtosh një sistem drejtësie që të jetë garanci e rendit ligjor, që të jetë garanci e sigurisë juridike të individëve e të subjekteve pa dallim të një vendi, në një vend ku 500 vjet nuk ka pasur kurrë ndërmjetësi por ka pasur vetëm sisteme drejtësie të ngritura e të kapura për këmbësh, nga pushtetet e radhës, mu si ato delet që varen atje tek kasapi, nuk është si të ndërtosh shtëpi, shkolla, çerdhe, kopshte, spitale, autostrada, kërkon kohë, por kërkon dhe mundim të madh, por mbi të gjitha kërkon një durim të madh sepse nuk është asnjë rrugë e shkurtër, nuk është asnjë rrugë e lehtë, nuk është asnjë rrugë e drejtë, por është një rrugë tejet e vështirë, plot me kthesa. Por nuk është, as faji, as përgjegjësia jonë, që askush përpara nesh nuk e nisi këtë rrugë fare, fare. Të gjithë u stepën nga frika e një reforme në drejtësi, e cila do të bënte pikërisht këtë që ka filluar të bëjë, goditjen brenda rradhëve të sipërme të pushtetit politik.
Sikur ta kishin nisur të tjerët më parë këtë reformë, sot Shqipëria do të ishte një vend tjetër dhe shqiptarët do të flisnin për gjëra të tjera, por janë humbur 25 vjet, çerek shekulli dhe koha që humbet bashkë me mundësitë që sjell, është shumë më e gjatë sesa koha që humbet kur mundësitë nuk janë aty. Shqipërisë ju tretën shumë shance dhe mundësi të kohës. Koha i solli, Shqipëria nuk i shfrytëzoi. Pikërisht se reforma në drejtësi, njësoj si të gjitha të tjerat që ne kemi nisur, thuajse të gjitha, ka nisur me handikapin e një vonese kaq të gjatë, ne sot duhet të durojmë shumë, shumë, shumë fare teksa ne luftojmë për drejtësi. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të vazhdojmë të ecim përpara dhe nuk duhet të lëndohemi edhe kur njerëzit tanë na thonë ore, ça bëhet kështu, ik ore, të ishe burrë e kishe futur në burg këtë, e kishe futur në burg atë. Ik ore se të gjithë jeni bashkë. Ik ore se hani të gjithë në një çanak. Ik ore…Ik ore… duhet ta durosh. Duhet ta durosh sado e tmerrshme të jetë ta imagjinosh veten në një çanak me Sliun dhe me Ilir Metën, duke ngrënë, kuptohet.
Duhet të durojmë. Absurditete nga më të ndryshmet! Për shembull, dënohet me heqje lirie një këngëtar se hap nji apo dy dritare, apo zgjeron pa leje, ndërkohë që strukturat shtetërore, policia, INUK-u presin akoma, prej muajsh e muajsh, po jap bvetëm një rast se ka disa, që gjykata dhe gjykatësit të mos marrin në mbrojtje një pallat të tërë pa leje mu në breg të detit. Çfarë drejtësie është kjo?! Po duhet të durojmë. Nëse gjërat do të kishin ardhur deri tek arka e peshkut apo te një dritare pa leje këtu, se të tjerët do e kishin marrë me kohë mësimin dhe puna do kishte ardhur për peshk e për ndonjë dritare, atëherë nuk do të habitej njeri nga këto lloj ekzagjerimesh, se ato shkelje janë.
Por, në raport me sensin moral dhe logjik të drejtësisë në vend, ato janë skandale. Duke qenë se unë jam mbështetësi më i vendosur, brenda atyre që kanë marrë detyra në politikë, i SPAK-ut dhe duke qene se kurrë deri tani, nuk e kam thënë anjë fjalë më shumë sesa lëvdatat për punën e SPAK-ut, besoj më takon tani ta ngre këtu edhe një tjetër fjali habitore shumë. “Si ka mundësi që asnjë gjykatës, asnjë dhe asnjë prokurori të korruptuar nga ata, që i nxorri vettingu jashtë me shkelma se kishin nga 7 shtëpi dhe nga 18 apartamente, nuk është akoma as i thirrur që të paraqitet: Ore ku i ke gjetur këto para?! Nëse nuk dënohen ata që japin drejtësinë gabim, dëno sa të duash ata që shkelin ligjin dhe bëjnë padrejtësira duke shfrytëzuar pushtete të tjera, nuk bëhet një shtet me siguri për të gjithë dhe përkujdesje për të drejtën e të gjithëve.
Uroj vetëm një gjë, që të mos e zgjas më tutje, dhëntë Zoti që mbështetja jonë pa kushte, – se nuk ka bërë vaki në historinë e Shqipërisë, jo në historinë e këtyre 30 viteve, që një shumicë kaq e fortë sa jemi ne, mos hapë gojën fare, as në nivelin më të lartë, as në nivelet e tjera për asnjë lloj vendimi, duke e mbështetur symbyllur drejtësinë, sepse për këtë punë e kemi bërë reformën, po nuk kemi pa kontensuar asgjë, nga proceset e hapura ndaj njerzve që ishin të lidhura me këto familje politike, – dhëntë Zoti që të mos e lexojnë si dobësi, prokurorët e SPAK-ut.
Ky do të ishte gabimi më i paamnistueshëm, në raport me popullin shqiptar, në raport me fëmijët tanë, me fëmijët e socialistëve, me fëmijët e dëmokratëve, me fëmijët e prokurorëve, me fëmijët e gjykatësve, në raport me pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, në rast se koha do të provonte diçka kaq të ulët sa plotësimi i planit të punës, në kurrizin e atyre që të mbështesin pa pasur parasysh fare, jo kahjen, por nivelin e krimeve dhe nivelin e zullumeve të bëra në këtë vend, ku kampionët nuk janë në Partinë Socialiste, kampionët janë në ato partitë e tjera.
Bujrum, çdokush këtu dhe kudoqoftë që rri në hijen e flamurit të Partisë Socialiste dhe ka një llogari për t’i dhënë drejtësisë, të shkojë t’ia japi, nuk i shkon askush dhe askush nuk e ndalon drejtësinë ta marri ta çojë atje ku duhet. Por ama, ne vërtetë kemi bërë një reformë që të kemi një drejtësi që sheh vetëm drejt, por s’kemi bërë një reformë që ha vetëm nga një anë, se kjo nuk është drejtësi, kjo quhet diçka tjetër.
Megjithatë, unë jam mbështetës i vendosur i SPAK-ut, i programeve të drejtësisë së re dhe do vazhdojmë t’i mbështesim, pa vënë në diskutim asgjë. Por ky është Kongresi i Partisë Socialiste, nëse dikush do më thotë ç’punë ka Kongresi me drejtësinë, pa këtë Kongres dhe pa këtë parti, këtu drejtësi s’ kishte për të patur. Absolutisht jo! Këtu rrezik edhe Prokurori i Përgjithshëm do ishte futur në Komisionet e rithemelimeve.
Për ta mbyllur, dua t’ju lë sot rehat mbas kësaj fjale të gjatë, me tre fjalë në kokë, të cilat duhet të jenë tre fjalë që secili në punën e vetë duhet t’i ketë parasysh, siguri për këdo që shërben, përkujdesje që askush të mos ndihet i pambrojtur dhe i pa përfshirë, dhe këtu e kam me të gjithë ata që kur shkoj unë ndonjëherë, unë shkoj shpeshherë, por më ndodh ndonjëherë e them “Futu te kjo kafja këtu” e më thonë “Jo se janë demokratë”. Pse?
Po e jap si shembull. Nuk ka demokratë dhe socialistë sot. Sot ka shqiptarë, sot ka prindër, sot ka gjyshe e gjyshër, sot ka të rinj e të reja, sot ka fëmijë që kanë nevojë për siguri, kanë nevojë të ndjehen të përfshirë, të mbrojtur, të ndjehen se shqiptarët kujdesen për njëri-tjetrin dhe ne vetëm duhet ta organizojmë të gjithë këtë, duke besuar shumë tek qenia e ccdo shqiptari dhe duke u afruar me shumë kujdes, me shumë modesti, edhe me mirëkuptim nëse nuk na afrojnë dhe duke u thënë “Jemi të gjithë bashkë në këtë hall të madh që na ka zënë dhe do ta kalojmë së bashku”. Falenderoj të gjithë organizatorët e paneleve të paradites së Kongresit, ku siguria u trajtua në të gjitha aspektet, edhe në aspektin ushtarak dhe diplomatik, edhe në aspektin e sigurisë ushqimore dhe në aspektin e sigurisë së shërbimeve të transportit, shërbimeve me energji, shërbime me ujë, sigurisë së mjedisit, sigurisë në shkollë, sigurisë për ata që janë më shumë në vështirësi.
Tani është koha që ne, pa humbur kohë, që të hënën, të fillojmë të vëmë në jetë të gjitha ato që njerëzit, mbi gjysmë milioni shqiptarë na kanë ndihmuar që të orientojmë sipas vendimmarrje që ata kanë mbështetur dhe t’u japim një provë të madhe që Këshillimi Kombëtar nuk ishte një shoë, se nuk kishim nevojë ta bënim. Këshillimi Kombëtar nuk ishte asnjë alibi, sepse nuk janë vendime që lidhen me të tjerë, nuk i kemi bërë që të shkojmë t’u bëjmë presion të tjerëve, t’u themi “Kështu thotë populli, hajde me ne voto”, ato janë vendime të qeverisë, ato janë vendime të shumicës, të cilat ne tani duhet t’i vëmë në jetë dhe nënat me tre fëmijë duhet të fillojnë të shikojnë që diçka tjetër po bëhet për to.Shkallë, shkallë.
Pensionistët që vazhdojnë punojnë roje në një parkim apo dyqan, vetëpunësohen atje, duhet të mos ketë asnjë dyshim që të shkojnë dhe t’u thonë “Paguaj sigurimet shoqërore akoma” sepse kështu kemi vendosur, duke u këshilluar me mbi gjysmë milioni shqiptarë.
Emigrantëve dhe të gjithë atyre që kanë kursime nga puna në të zezë duhet t’u hapim rrugë tani’ që të formalizojnë të gjithë të ardhurat. Ashtu sikundër, duhet të krijojmë vende të reja pune me ngritjen e strukturave teknologjike për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore, se nuk është për qëllime përdorimi vetjak. Vitin tjetër do i pyesim shqiptarët, patjetër, “E doni për përdorim vetjak”. Do t’i pyesim patjetër, sepse e kanë e kanë bërë të gjitha vendet e botës. Kush thotë “jo”, le të mobilizohet. Edhe Rithemelimi. E kështu me radhë të gjitha e deri tek Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur është një vizion paqeje, një vizion ekonomik, një vizion sigurie dhe përkujdesjeje për të gjithë ata që prej vitesh eksportojnë në zonën e Ballkanit dhe që njësoj do vazhdojnë ta bëjnë këtë punë, por nuk kanë arsye pse ta bëjnë, duke u penguar nga barriera e të tjerë e deri tek ndarja nga Maqedonia e Veriut, në rast se përsëri Komisioni Europian, Këshilli Europian do thotë “Jo”.
Nëse do thonë “Jo edhe kësaj radhe se do prisni Bullgarinë”, ne do fillojmë do ndryshojmë komplet kursin e politikës sonë të jashtme dhe do shkojmë derë më derë dhe do t’u themi “Nuk duam më të jemi bashkë me ta, nuk duam më të presim Bullgarinë”. Edhe ata, patjetër do të na mirëkuptojnë sepse në fund të fundit, të hyjë Shqipëria është një gëzim edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe hyrja e Shqipërisë ndihmon dhe ata pastaj, vë Bullgarinë në pozitë tjetër. Nuk e di se ndoshta mund të dalë Irlanda e të kërkojë diçka nga Shqipëria, çdo gjë bën vaki. Mund të thotë që Shqipëria duhet të jetë “Irlanda Lindore”, asgjë nuk merret vesh këtu. Ishalla nuk po ndodh ndonjë incident diplomatik me Irlandën, por është thjesht shaka.
Faleminderit të gjithëve! Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!