Policia Rrugore e Tiranës ka njoftuar se në kuadër të monitorimit të rrugëve me rrezikshmëri të lartë, janë pezulluar vetëm që nga mëngjesi i sotëm 17 leje drejtimi në rrugën rrugën “Sauk-TEG-Kashar”.
Pezullimi i tyre është bërë për shkak të shpejtësisë mbi normën e lejuar. Policia bën me dije gjithashtu se janë marrë 38 masa administrative për të njejtën problematikë, 121 masa për mos vendosje të rripit të sigurimit dhe 88 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Policia rrugore e Tiranës sqaron se masat monitoruese në këtë rrugë, konsistojnë në vëzhgime me radarë, kamera, alkool-testues, dronë dhe mjete të tjera pauniformuara.
Njoftimi i plotë:
“Nisur nga analiza e kryer nga specialistët e Policisë Rrugore të Tiranës, për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash.
Këto masa konsistojnë në monitorimin e rrugëve interubrane që lidhen me Tiranën, si dhe rrugëve në brendësi të kryeqytetit, me anë të shërbimeve të lëvizshme, duke përdorur radarë,
Shpejtësi të frikshme në pikun e lëvizjes, 145 km/h deri ne 169 km/h, në rrugën e TEG-ut:
– prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente 17 leje drejtimi të pezulluara, nga këto 9 për shpejtësi për tejkalim mbi 50 km/h më shumë se sa lejon tabela dhe 8 për shpejtësi për tejkalim mbi 30 km/h më shumë se sa lejon tabela;
– Gjithashtu 38 masa administrative të caktuara për tejkalim të normave të shpejtësisë, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit;
– 121 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit;
– 88 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Monitorimi vijon me lëvizje, në të gjitha rrugët e Tiranës.
Stop shpejtësisë!
Stop alkoolit në timon!
Respekto rregullat e qarkullimit për të mbërritur i sigurtë në destinacion!