Romë, 6 Prill – Një marrëveshje të re me spitalin e mirënjohur pediatrik “Bambino Gesu”, e cila do të firmoset së afërmi, është dakordësuar gjatë një takimi të zhvilluar në Romë mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Presidentes së Spitalit Pediatrik “Bambino Gesu” Mariella Enoc.
Marrëveshja e re do të garantojë një platformë të përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mjekëve të specializuar pediatër si dhe mbështetjen e Shqipërisë për trajtimin e disa pacientëve të vegjël me sëmundje të rralla.
“Jemi sot në Spitalin “Bambino Gesu” për të siguruar marrëveshjen e re, e cila do të ketë në shtyllën e parë të bashkëpunimit formimin profesional dhe edukimin në vazhdim të mjekëve dhe të infermierëve tanë. Bashkë me Presidenten e Spitalit, rakorduam për të pasur një marrëveshje të re për të siguruar fuqizimin e burimeve tona njerëzore në një periudhë e shpejtë, për të arritur që në ato specialitete dhe subspecialitete të cilat kërkohet edukim në vazhdim për teknikat më të fundit të kohës apo për terapitë më të mira, të kemi mundësinë e mbështetjes së profesionistëve dhe të ekspertëve të cilët janë ekselentë nga spitali pediatrik “Bambino Gesu”, tha Manastirliu. Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes që do të firmoset së shpejti, është mbështetja për rastet e rralla të sëmundjeve pediatrike.
“Kjo marrëveshje përveçse synon që të na mbështesë edhe përsa i përket diagnozave të rralla apo diagnozave të cilat me të vërtetë kanë nevojë që të vlerësohen nga disa ekipe multidisiplinare, ne do të kemi mundësi që të përmirësojmë edhe nivelin e cilësisë së shërbimeve tona dhe padyshim edhe trajtimin e rasteve specifike të vështira të cilat janë edhe raste të rralla dhe që kërkojnë një trajtim të specializuar, subspecialistik në këto qendra rajonale, që jo vetëm janë qendra kombëtare por në fakt i shërbejnë një pjesë të mirë të vendeve që kanë nevojë të marrin jo vetëm formim profesional por gjithashtu kanë nevojë edhe të jenë pjesë e trajtimeve më të fundit bashkëkohore”, tha Manastirliu. Presidentja e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesu” Mariella Enoc shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re me Shqipërinë, e cila do të fokusohet tek rritja profesionale e mjekëve si dhe ndihma direkte për trajtimin e disa rasteve të fëmijëve me sëmundje të rralla.