Paris Saint-Germain është zyrtarisht kampion i Francës. Pas dështimit në Champions League, dhe Ligue 1 të humbur sezonin e kaluar, skuadra e Pochettino-s ka marrë sigurinë matematikore mbrëmjen e së shtunës dhe është kthyer të festojë.

Është Ligue 1 e Mbappe, e Messi-t që i vënë vulën me një nga magjitë e tij dhe padyshim është edhe Ligue 1 e Angel di Maria-s. Sulmuesi ekspert argjentinas ka qenë vendimtar edhe në këtë sezon, që pritet të jetë i fundit për të në Paris. Kontrata e ish-yllit të Real Madrid, në fakt, skadon në qershor me një opsion në favor të PSG-së për sezonin e ardhshëm dhe që nuk do të ushtrohet nga klubi.

Futbollisti do të largohet nga Parisi me kosto zero dhe kjo e bën shumë tërheqës për shumë klube të mëdha europiane. Për të duket se është vënë në lëvizje edhe Juventus-i. Sipas La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubi bardhezi po studiojnë një goditje të mundshme “alla Dani Alves”, me një kontratë njëvjeçare.

Di Maria mund të jetë përjashtimi i vetëm që mund t’i bëjë Juventus-i politikës së saj për të marrë lojtarë të rinj. Argjentinasi është akoma në gjendje të bëjë diferencën dhe do t’i jepte një eksperiencë të madhe ndërkombëtare skuadrës, në krah të Vlahovic, Chiesa dhe Kean.