Pasi pranoi humbjen me planin e tij për ta luajtur Kupën e Botës çdo dy vite, Gianni Infantino ka nisur tashmë një plan B, për të propozuar një alternativë të re. Sipas raportimeve të ‘The Sun’, në fakt, presidenti i FIFA-s tani po kërkon organizimin e Kupës së Botës çdo tri vite si pjesë e ciklit 36-mujor të turneve.
Me projektin e ri të Infantinos, në vitin e parë Botërori për Klube do të zgjerohej në 24 skuadra, por në mes të verës do të çonte në mosmarrëveshjen e kampionateve kontinentale, si ai i Europës dhe i Kupës së Amerikës, ndërsa viti i tretë do të ishte pikërisht ai i Kupës së Botës.
Infantino la të kuptohet për këtë mundësi pas kongresit të FIFA-s me 211 anëtarë në Doha, javën e kaluar, duke argumentuar se ishte “thelbësore të bëhej diçka, qoftë një Kupë Bote çdo dy ose çdo tri vite”.
Ndërkohë, FIFA lëshoi një deklaratë duke këmbëngulur se “nuk do të ketë ndryshime në lidhje me kohëzgjatjen e ndeshjeve të futbollit për Botërorin e Katarit, pas raportimeve mediatik se Gianni Infantino po mendon për ndryshime në këtë drejtim.
Lajmi doli kur Infantino vizitoi Firencen këtë javë, ku presidenti i FIFA-s kishte folur pozitivisht për idenë e zgjatjes së ndeshjes në 100 minuta, duke kompensuar vonesat e VAR-it, zëvendësimeve etj.
“Pas disa raporteve dhe thashethemeve të përhapura, FIFA dëshiron të sqarojë se nuk do të ketë ndryshime në në lidhje me kohëzgjatjen e ndeshjeve të futbollit për Kupën e Botës, qoftë ai që do të luhet në Katar apo ndonjë kompeticion tjetër”, – thuhet në njoftim.