Sa i përket krizës aktuale të çmimeve ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh se shqetësuese është rritja e nivelit të inflacionit.
“Na ka shqetësuar shumë ecuria e inflacionit. Duke qenë se ka pasur rritje ekonomike të përshpejtuar kërkesa ka bërë që çmimet të rriten, ndërsa oferta ka qenë më e munguar. Në Shqipëri çmimet kanë qenë më të kontrolluara. Shifrat më shqetësuese ka qenë rritja e inflacionit për ushqimet dhe pijet alkoolike. Presim që inflacioni të pësojë rritje në muajit në vijim,” tha ajo.
Ministrja ka deklaruar se qeveria do të shkurtojë shpenzimet për investime për të ndihmuar paketën e rezistencës sociale. “Kemi shkurtuar një pjesë të investimeve publike dhe shpenzimeve operacionale për të krijuar hapësirë për paketën e rezistencës sociale”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo dha edhe lajmin se ditën e sotme pritet që Bordi i Ushqimeve të vendosë çmimet e referencës për disa produkte bazike ushqimore. “Në mbledhjen e datës 1 Prill Bordi vendosi që të mbajë në monitorim katër produktet kryesore, miellin, orizin, vajin dhe sheqerin. Do dalim me çmime referencë për këto produkte. Çmimet do të dalin sot,” konfirmoi ministrja duke shtuar se do të përdoret e njëjta metodologji edhe për inputet bujqësore duke siguruar garanci sovrane për importuesit.