Kryeministri britanik Boris Johnson i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë popullit rus që të refuzojë luftën e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë. Përmes një videomesazhi të postuar në internet, kryeministri Johnson i përshkroi mizoritë e kryera nga trupat ruse si një “njollë” për nderin e vendit. Ai u bëri thirrje rusëve që t’i përballojnë me sukses kontrollet e Putinit në media duke zbuluar të vërtetën e asaj që po ndodh nga mediet e pavarura të lajmeve në internet.

Thirrja e tij erdhi pasi Kremlini pretendoi se imazhet e civilëve që thuhet se ishin vrarë nga ushtarët rusë në qytetin e Bucha ishin “lajme të rreme” dhe që ishin inskenuar nga vetë ukrainasit. Në mesazhin e tij, Johnson tha se raportet ishin aq tronditëse sa Putin kishte kërkuar qëllimisht të fshihte të vërtetën nga populli i tij. Johnson tha se rusëve u nevojitej vetëm një lidhje VPN për të hyrë në informacione të pavarura nga e gjithë bota.

“Kur të gjeni të vërtetën, ndajeni atë”, tha ai. “Ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi. Dhe historia do të kujtojë se kush i injoroi qëllimisht këto krime”, shtoi ai. “Presidenti juaj akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës. Por nuk besoj se ai po vepron në emrin tuaj”, tha ai në rusisht.