Ish-nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli është rikthyer në PD dhe merr pjesë sot në Kuvendin Kombëtar, ku pritet të ketë dhe një fjalë. Ajo është ndalur disa çaste për mediat, para nisjes së Kuvendit, ku tha se sot është dita për të bërë kthesën.

Topalli ka pasur dhe një mesazh për deputetët e PD që nuk marrin pjesë. “Nuk është hera e parë që jemi gjendur në vështirësi. Në përgjithësi nuk jemi tërhequr. Jemi hedhur në besimet tona, është rasti për ta bërë. Ndoshta mund të them një gjë, që dhe pa qenë në krye të PD-së dhe pa qenë deputete, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën e tij. E vërteta është liria e individit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta. E rëndësishme që bashkimi të bëhet mbi vlera, te njerëzit e thjeshtë, tek ata që kërkojnë një opozitë reale. Ky është dëmi më i madh, nuk ka dëm më të madh për një vend se ta lësh pa opozitë, ose të kesh një opozitë farsë. Sot është dita për të bërë kthesën”, tha Topalli.